Përplasja e madhe për detin, Domi: Prapaskenat që po mbajnë peng marrëdhëniet shqiptaro-greke

Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë mbeten të ndërlikuara dhe thellësisht komplekse, duke u zhvilluar në një terren të rënduar nga problematika të mbartura historike dhe interesa të ngushta gjeopolitike. Në qendër të këtij debati rikthehet çështja e ndarjes së detit, një përplasje që nuk kufizohet vetëm te betejat teknike për shelfin kontinental apo parimin e proporcionalitetit të ishujve, por që ekspozon të çara të thella në marrëdhëniet dypalëshe.

I ftuar në emisionin "Drejt", në "Ora News", ishte Ruel Domi, i cili u shpreh se si dy komb-shtete që kërkojnë të maksimizojnë territorin dhe burimet e tyre natyrore, Shqipëria dhe Greqia po përballen në atë që shihet si një betejë për menaxhimin e resurseve detare. Athina zyrtare ka precedentë të ngjashëm problematikë edhe me Egjiptin, Italinë apo Turqinë. Zëra në sferën diplomatike madje aludojnë se në dështimin e marrëveshjeve të kaluara rreth vitit 2018 mund të ketë pasur edhe një ndërhyrje të tërthortë të Turqisë, nga frika e krijimit të një precedenti të ri ujor mes palëve.

"Po mendoj që ka dy mënyra për ta parë. Mënyra e parë për ta parë gjithë situatën është t'i trajtosh Shqipërinë dhe Greqinë si dy shtete normale, në sensin që normalisht shtetet, komb-shtetet gjatë gjithë historisë së tyre kanë tentuar të maksimizojnë territor, të maksimizojnë vijë detare, të maksimizojnë resurse dhe në këtë aspekt, në këtë sens, në këtë prizëm edhe Shqipëria dhe Greqia po bëjnë pak a shumë të njëjtën gjë dhe mos harrojmë që Greqia ka precedentë të ngjashëm dhe me Egjiptin dhe me Italinë edhe me Turqinë ka një problematikë shumë të madhe.

Ndërkohë pastaj, kur flitet për marrëveshjen e vitit 2018 thuhet, këto janë thjesht zëra që ka qenë Turqia në njëfarë mënyre e cila ka hyrë në mes të Shqipërisë dhe Greqisë për të ndaluar një marrëveshje për shkak të frikës nga një precedent i mundshëm midis Greqisë dhe Turqisë.

Megjithatë këtu jemi në kuadrin e aludimeve. Por prizmi i parë, mënyra e parë për ta parë gjithë situatën janë dy komb-shtete që normalisht kanë një përballje ligjore në raport me menaxhimin e resurseve dhe deti sigurisht është kryesori. Më specifikisht pastaj, marrëdhëniet Shqipëri-Greqi janë të koklavitura dhe patjetër që janë shumë komplekse për një sërë arsyesh. Është e vërtetë që dy vendet kanë firmosur një marrëveshje të fqinjësisë së mirë në vitin 1996 dhe janë aleate qoftë në NATO, edhe së shpejti shpresoj në Bashkimin Europian, por vlen të thuhet që ka çështje të pambyllura midis dy vendeve. Për shembull, rasti i ligjit të luftës, që parlamenti grek vijon ta mbajë.

Por kjo është pjesa e asaj amullisë gjeopolitike që për shkak të mungesës së një doktrine të politikës së jashtme shkohet deri aty. E megjithatë, në rast se Greqia është vend mik me Shqipërinë, normalisht duhet të heqë ligjin e luftës. Pronat e çamëve për shembull janë një tjetër çështje që ndan Shqipërinë me Greqinë. Keqtrajtimi i perceptuar nga ana e Greqisë, por që në fakt sipas mendimit tim nuk është i vërtetë, i pakicës greke, i minoritetit grek në Shqipëri, dhe në njëfarë mënyre vetot e vazhdueshme që Greqia ka vënë për Shqipërinë në rrugëtimin e saj në Bashkimin Europian është ai një 'wedge issue', pra është një problem, një çështje ndarëse. Kështu që unë mendoj që deti në fakt, gjithë përplasja për detin nuk ekspozon vetëm nevojën për debate teknike në raport me shelfin kontinental apo me parimin e proporcionalitetit përballë parimit të ishujve, por ekspozon në fakt marrëdhënie të nxehura midis dy vendeve, që kanë patjetër problematika të pazgjidhura. 

Jo 2009 është shfuqizuar, po. Në vitin 2018 flitej që do kishte një tjetër marrëveshje, pra kishte një tjetër konsensus midis Shqipërisë dhe Greqisë për të arritur një marrëveshje dhe domethënë ai moment mund të kishte qenë ideal. Por për arsye të ndryshme që mund t'i diskutojmë edhe në një moment tjetër nuk është arritur. Ndërkohë që në vitin 2009 pastaj Gjykata Kushtetuese e ka shfuqizuar patjetër atë marrëveshjen e qeverisë shqiptare me qeverinë greke", u shpreh Domi.