Turdiu: Ja si e fshiu politika shqiptare vijën bazë të detit para negociatave me Greqinë
Një detaj i panjohur dhe tronditës ka dalë në dritë në lidhje me çështjen e shumëpërfolur të kufirit detar mes Shqipërisë dhe Greqisë.
Publiku shqiptar duket se është ushqyer ndër vite me informacione të pjesshme, ndërsa faktet thelbësore të kësaj dosjeje janë mbajtur larg vëmendjes mediatike.
I ftuar në emisionin "Drejt", në "Ora News", ishte Gazmend Turdiu i cili u shpreh se dokumentet tregojnë se në vitin 2008, përpara se të nisnin negociatat zyrtare për delimitimin e zonave ekonomike, politika shqiptare ka marrë një vendim drastik. Parlamenti i atëhershëm shfuqizoi dispozitat kryesore të ligjit nr. 8771 të vitit 2001, të cilat përcaktonin vijën bazë detare të Republikës së Shqipërisë. Ky shfuqizim i parapriu tryezës së bisedimeve, duke e dërguar ekipin negociator shqiptar në një pozicion të disfavorshëm qysh në nisje.
Ekipi negociator i asaj kohe drejtohej nga Ferit Hoxha, i cili ka mbajtur dhe postin e Ministrit të Jashtëm. Megjithatë, përgjegjësia për heqjen e vijës bazë nuk bie mbi negocitorët, Ministrinë e Jashtme, Ministrinë e Mbrojtjes apo Institutin e Gjeografisë. Githçka duket se ka qenë një vendimmarrje e pastër politike. Përmes një akti parlamentar, u fshinë pikërisht ato nene që mbronin vijën bazë detare, duke ngritur dyshime të forta mbi arsyet e vërteta të këtij kompromisi paraprak.
" Më duhet të them që në fillim, duke qenë se e njoh shumë mirë atë dosje, jo se kam qenë negociator në kundërshtim me çfarë është publikuar, por unë mbasi doli vendimi i Gjykatës Kushtetuese, u ngarkova nga ministri i kohës për të ngritur një grup pune, për të bërë një studim mbi si kemi mbërritur në atë pikë dhe çfarë mund të bëhet më tej. Përfshirë edhe propozime për si do ishte edhe ligjërimi publik, domethënë si do informohej publiku.
Jo gjithçka ka ajo dosje. Janë tetë memorandume në atë paketë që tregon se si është zhvilluar çështja e bisedimeve me Greqinë për delimitimin e zonave ekonomike. Më vjen mirë që e diskutojmë edhe për një arsye tjetër. Unë kam frikë se publiku është ushqyer me informacion të pjesshëm.
Unë këtë koment nuk do ta bëj tani, t'jua lë shikuesve tuaj ta diskutojnë, por për shembull një element shumë i rëndësishëm që unë të paktën s'e kam hasur në media, është që në vitin 2008, përpara se të fillonin negociatat, Shqipëria shfuqizoi ligjin me numër 8771, datë 19.04.2001 për kufirin shtetëror të Republikës së Shqipërisë. Ose më saktë, pjesët kryesore që përcaktojnë vijën bazë detare", u shpreh Turdiu.
Ndiqni emisionin e plotë: