Xhixho: Integrimi i Shqipërisë po avancon nga l*fta në Ukrainë, jo nga meritat e qeverisë

Procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian ka marrë një hov të ri, por duket se kjo nuk vjen si pasojë e meritave të brendshme.

Avancimi i rrugëtimit të Ballkanit Perëndimor drejt familjes europiane po diktohet thelbësisht nga momenti gjeopolitik dhe lufta në Ukrainë. Megjithatë, një raport i fundit ka nxjerrë në pah anën e errët të realitetit shqiptar, duke shërbyer si një skaner i pamëshirshëm për gjendjen e vendit.

Miratimi i këtij drafti pësoi një vonesë prej më shumë se tre muajsh dhe ndryshoi rrënjësisht nga propozimi fillestar i Komisionit Europian. Shkak për këtë u bënë pikëpyetjet e forta dhe çështjet thelbësore të ngritura nga disa shtete anëtare të BE-së, të cilat shprehën skepticizëm të thellë lidhur me situatën reale në Shqipëri.

Në një lidhje të drejtpërdrejtë në "Ora News", ishte deputetja Erisa Xhixho, e cila u shpreh se raporti europian konfirmon shqetësimet e ngritura ndër vite nga radhët e opozitës. Dokumenti thekson se e ashtuquajtura "reforma më e madhe e qeverisë" është kthyer në një sistem korrupsioni, i cili tashmë ka shtrirë rrënjët në çdo qelizë të qeverisjes, si në nivelin qendror, ashtu edhe në atë vendor.

" Së pari, raporti i barit ishte një raport procedural i cili do të duhej të kishte kaluar shumë më shpejt. Absolutisht që avancimi i procesit të integrimit europian është falë momentit gjeopolitik në të cilin ndodhemi.

Absolutisht lufta në Ukrainë ka bërë që avancimi i Ballkanit Perëndimor drejt anëtarësimit dhe integrimit të plotë në Bashkimin Europian ka marrë një shpejtësi tjetër.

Vonesa, jo thjesht disa javë, por janë mbi tre muaj vonesë në miratimin e tij, i cili ka ndryshuar rrënjësisht nga propozimi i Komisionit Europian në draftin final. E dini shumë mirë që shumë nga vendet europiane ngritën çështje të rëndësishme, pikëpyetje mbi situatën reale në të cilën ndodhet vendi dhe padyshim që ky raport është një skaner dhe një analizë e qartë, e detajuar e situatës në të cilën ndodhet vendi.

Padyshim në raport theksohen ato që opozita ka thënë prej muajsh tashmë, prej vitesh, absolutisht që reforma më e rëndësishme që ka bërë kjo qeveri është padyshim reforma e korrupsionit. Një korrupsion tashmë që siç thuhet edhe në raport, i shtrirë në çdo qelizë qeverisëse, qoftë në nivel qendror dhe vendor, dhe absolutisht që është një nga kushtet, një nga 33 kushtet që tashmë Brukseli i ka vendosur Shqipërisë.

Pra, nuk kërkon vetëm miratim ligjesh, miratim reformash, përafrim me legjislacionin, por sikundër u tha dhe në konferencën për shtyp, kërkohet zbatim real, reforma të qëndrueshme, të pakthyeshme nga ana e Shqipërisë. Çka do të thotë që jo thjesht në letër një luftë kundër korrupsionit, por absolutisht real në nivele të larta", u shpreh Xhixho.

Ndiqni intervistën e plotë: