Çela: Mosangazhimi dhe indiferenca ndaj politikës është tradhti ndaj atdheut
Këtë të shtunë, vëmendja politike përqendrohet te mbledhja e Kuvendit Kombëtar, i cili synon t'i hapë rrugë ndryshimeve të rëndësishme statutore dhe të riorganizojë thellësisht strukturat drejtuese të partisë.
Ndonëse kreu i forcës politike mbetet i pandryshuar, qëllimi kryesor i këtij takimi është rinovimi i figurave në poste kyçe dhe hapja e dyerve ndaj pjesëve më vitale të shoqërisë.
Pritet që organi më i lartë të ristrukturojë Këshillin Kombëtar, Sekretariatet e Përgjithshme e ato Politike, si dhe vetë Kryesinë. Gjatë këtij procesi, një theks i veçantë do t'u vihet grave, të cilave u është premtuar një përfaqësim shumë më i gjerë me një kuotë më të lartë në Këshillin Kombëtar. E njëjta ftesë mbetet e hapur edhe për të rinjtë dhe intelektualët.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë në "Ora news", ishte Genti Çela, drejtues i departamentit të kulturës në PD, i cili u shpreh se ftesa për t'u angazhuar politikisht vlerësohet si një domosdoshmëri ekstreme përballë situatës aktuale në vend. Në prag të këtij Kuvendi, thirrjet drejtuar qytetarëve janë ashpërsuar, duke paralajmëruar se mosangazhimi dhe indiferenca ndaj politikës sot, konsiderohen si tradhti e pastër ndaj atdheut. Situata në Shqipëri përshkruhet me tone alarmante, duke e cilësuar qeverisjen aktuale si një regjim mafioz dhe një "kakistokraci". Përballë këtij realiteti, kërkohet me ngulm që qytetarët të thyejnë muret e heshtjes dhe të marrin në dorë fatet e kombit.
"Atëherë, ky është thelbi i këtij Kuvendi Kombëtar, i cili do të rizgjedhë, do të ristrukturojë, po themi, strukturat që vijnë sipër Këshillit Kombëtar, fjala vjen Sekretariatet e Përgjithshme dhe Sekretariatet Politike, apo dhe Kryesinë e Partisë Demokratike. Pra, organet të cilat i zgjedh, i zgjedh organi më i lartë i Partisë Demokratike që është Kuvendi Kombëtar, i cili mblidhet pra ditën e shtunë.
Dhe sigurisht që, kjo është një mundësi e shkëlqyer për t'u hapur, për të ftuar cilindo intelektual, cilindo të rinj dhe të rejat e këtij vendi, zonjat dhe gratë për t'u përfaqësuar, për t'u angazhuar politikisht dhe për të marrë përsipër përgjegjësi politike.
Në kushtet ku ndodhet sot Shqipëria, ka absolutisht nevojë dhe Partia Demokratike është duke e bërë këtë thirrje për angazhimin e të rinjve, për angazhimin e intelektualëve, të cilët duhet të thyejnë muret e heshtjes dhe duhet të pranojnë ftesën e vazhdueshme të Partisë Demokratike për të marrë përgjegjësi politike.
Mosangazhimi, indiferenca ndaj politikës është indiferencë ndaj atdheut, dhe e përkthyer ndryshe është tradhti ndaj atdheut.
Në këto kushte ku nevojitet jo thjesht, e vetëm zëri i Partisë Demokratike, por nevojitet zëri i çdokujt i cili kupton dhe ndien, përjeton këtë çka i ndodh Shqipërisë sot nën këtë regjim saktësisht mafioz, në këtë kakistokraci", u shpreh Çela.
Ndiqni intervistën e plotë:
