Teliti: Reforma territoriale ishte një ndarje harte elektorale për interesa politike
Komisioni i Reformës Territoriale është përfshirë nga debate të ashpra dhe përplasje mes dy forcave kryesore politike, ku mungesa e dialogut ka degraduar deri në sherre për mikrofonat, ngjarje këto të transmetuara edhe në media. Teksa vëmendja publike tërhiqet nga tensionet në salla, dëgjesat që po zhvillohen prej javësh nëpër qarqe po nxjerrin në dritë një të vërtetë tepër shqetësuese.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë për "Ora News", ishte Këshilltari ekonomik i PD-së, Dorian Teliti, ka denoncuar dështimin e pushtetit vendor për t'u shërbyer qytetarëve, një problem që ndihet thellësisht në zonat e thella dhe larg qendrave urbane.
Sipas Telitit po bëhet gjithnjë e më e qartë se reforma e miratuar në vitin 2014 dhe e hyrë në fuqi në 2015-ën nga mazhoranca socialiste nuk kishte si qëllim përmirësimin e jetës së qytetarëve. Ajo nuk shërbeu si një reformë e vërtetë administrativo-territoriale për t'i dhënë frymëmarrje biznesit dhe sipërmarrjes, por u përdor thjesht si një instrument politik. Hartimi i saj konsiderohet si një ndarje e pastër e hartës elektorale, e bërë në mënyrë të njëanshme për t'i shërbyer ekskluzivisht interesave të mazhorancës në pushtet.
" Për të thënë të vërtetën, pra, komisioni i reformës territoriale ka prej disa javësh praktikisht që ka filluar punën dhe dëgjesat nëpër qarqe.
Dhe dëgjesat me thënë të drejtën të cilat po nxjerrin në pah realitetin e hidhur që pushteti vendor i ka pasqyruar, i ka ndikuar në jetën e qytetarëve, sidomos në zonat të cilat janë larg qendrave urbane.
Ka dalë hapur sheshit tashmë që reforma territoriale e vitit 2015, 14-të, që u miratua në 14-tën, që hyri në fuqi në vitin 2015, e cila u bë në mënyrë tërësisht të njëanshme nga ana e mazhorancës socialiste, ishte një reformë jo territoriale administrative, pra e thënë ndryshe, një reformë për qytetarin, për shërbimet e tij, për funksionet që duhet të ushtronte njësitë e qeverisjes vendore për të përmirësuar jetën e qytetarëve, për të përmirësuar jetën e biznesit, të sipërmarrjes, për t'i fuqizuar ata.
Po ishte thjesht një ndarje harte elektorale për interesat politike të mazhorancës në fuqi", u shpreh Teliti.
Ndiqni intervistën e plotë:
