"Shqipëria përfiton nga BE për infrastrukturën"/ Çoçoli: Por bizneset mbeten larg transparencës

Në studion e Ora News i ftuar ishte eksperti i ekonomisë Fatos Çocoli, i cili foli për fondet e integrimit të Bashkimit Europian për Shqipërinë, investimet dhe problemet që pengojnë zhvillimin e tregut.

Ai u ndal te projektet infrastrukturore, duke përmendur hekurudhën Durrës–Rinas–Tiranë, që sipas tij pritet të përfundojë brenda këtij viti dhe që do të shkurtojë ndjeshëm kohën e udhëtimit drejt aeroportit.

“Fondet e Bashkimit Europian jepen për projekte si hekurudhat dhe infrastruktura. Për shembull, hekurudha Durrës–Rinas–Tiranë pritet të përfundojë dhe do ta bëjë udhëtimin shumë më të shpejtë, rreth 13–16 minuta.”-tha ai.

Ai foli edhe për problematikat që sipas tij mbeten në ekonomi, sidomos informaliteti dhe mungesa e transparencës në disa biznese.

“Në treg ka ende probleme me bilance të ndryshme dhe mungesë të kuotimit në bursë. Shumë biznese shmangin formalizimin e plotë për të evituar tatimet dhe kjo ndikon në zhvillimin e tregut dhe ekonomisë.”-u shpreh eksperti.

Çocoli u ndal edhe te zhvillimi i bursës në Shqipëri, duke e konsideruar ende të pazhvilluar krahasuar me vendet e tjera dhe të penguar nga informaliteti në ekonomi.

Sipas tij, fondet e Bashkimit Europian mund të ndihmojnë në investime të mëdha, por nuk mund të zgjidhin vetë problemet strukturore të ekonomisë.

NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË NË ORA NEWS: