Rektori pezullon dekanen pas kandidimit në KLGJ, alarm për ndërhyrje politike në Universitetin e Tiranës

Universiteti nuk mund të trajtohet si pronë personale e rektorit. Aq më pak Fakulteti i Drejtësisë, institucioni që duhet të prodhojë respekt për ligjin, procedurën dhe standardin institucional.

Pikërisht për këtë arsye, vendimi i rektorit të Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha, për pezullimin e dekanes së Fakultetit të Drejtësisë, Dorina Hoxha, ka shkaktuar tronditje dhe reagime të forta në mjedisin akademik.

Dokumenti zyrtar mban datën 20 maj 2026 dhe justifikon pezullimin me faktin se dekania ka shprehur interes për kandidim në Këshillin e Lartë Gjyqësor. Në vendimin e firmosur nga rektori thuhet se pezullimi bëhet “në funksion të garantimit të paanshmërisë institucionale dhe shmangies së konfliktit të interesit” gjatë procedurës së përzgjedhjes së anëtarëve të KLGJ dhe KLP. Në të njëjtin vendim, rektori cakton profesor Skënder Kaçupin për të ushtruar të gjitha funksionet e dekanit.

Rektori pezullon dekanen pas kandidimit në KLGJ, alarm për

Por pikërisht këtu nis problemi.

Dorina Hoxha nuk është emëruar nga rektori. Ajo është zgjedhur me votë nga pedagogët dhe studentët. Edhe vetë rektori është zgjedhur me votë. Kjo do të thotë se raporti mes tyre nuk është raport vartësie personale, por raport institucional i përcaktuar nga ligji dhe autonomia universitare.

Për këtë arsye, shumë zëra në universitet po e konsiderojnë këtë vendim si tejkalim kompetencash dhe precedent të rrezikshëm për mënyrën si mund të përdoret pushteti brenda institucioneve akademike.

Në praktikën universitare dhe në logjikën e autonomisë akademike, pezullimi i një dekani nuk mund të trajtohet si akt administrativ rutinë. Ai duhet të mbështetet mbi shkaqe të forta ligjore dhe procedurale, jo mbi interpretime të zgjeruara të autoritetit të rektorit.

Pikëpyetja më e madhe lidhet me faktin se kandidimi për në KLGJ po trajtohet si shkak për pezullim. Dhe kjo krijon menjëherë një precedent të rrezikshëm: a mund të pezullohet çdo drejtues universiteti sa herë kandidon për një institucion kushtetues?

Nëse kjo logjikë pranohet, atëherë autonomia universitare bie dhe universiteti kthehet në institucion që funksionon sipas vullnetit të një njeriu të vetëm.

Edhe më i fortë bëhet debati për shkak të kohës kur u mor vendimi. Pezullimi vjen menjëherë pas kandidimit të Dorina Hoxhës për KLGJ. Për këtë arsye, në universitet po qarkullon hapur interpretimi se nuk kemi të bëjmë me çështje procedurale, por me një lëvizje të motivuar nga tensione të brendshme dhe nga përplasja për kontrollin e Fakultetit të Drejtësisë.

Në këtë pikë, çështja nuk është më personale. Nuk është më thjesht konflikt mes rektorit dhe dekanes. Është debat për kufijtë e pushtetit në universitet.

Sepse nëse një rektor mund të pezullojë një dekan të zgjedhur me votë, bazuar mbi interpretime të tilla, atëherë autonomia universitare mbetet vetëm slogan.

Universiteti i Tiranës nuk mund të funksionojë si administratë e zakonshme shtetërore, ku drejtuesi i momentit vendos sipas dëshirës. Universiteti është institucion autonom. Dhe autonomia nuk mbrohet me deklarata ceremoniale, por me respektimin e kufijve të pushtetit.

Pikërisht për këtë arsye, vendimi i Artan Hoxhës nuk po shihet vetëm si akt administrativ. Po shihet si test për vetë autonominë universitare në Shqipëri.

Dhe nëse ky precedent kalon pa debat dhe pa reagim institucional, nesër çdo drejtues universiteti mund të përdorë të njëjtën logjikë për të goditur këdo që del jashtë kontrollit të tij./ Marrë nga Pamfleti