Pabarazi në burgje/ Avokati Çaça: Familjet mbajnë barrën, të pasurit blejnë kushte më të mira

Në emisionin “Drejt” në Ora News, i ftuar ishte avokati Përparim Çaça, i cili foli për gjendjen e sistemit penitenciar në Shqipëri dhe kushtet brenda institucioneve të vuajtjes së dënimit.

Ai u ndal te mënyra se si familjarët e të dënuarve mbajnë një pjesë të madhe të barrës, duke siguruar ushqime dhe sende bazike për të afërmit e tyre në burgje.

"Në shumë raste, familjarët janë ata që mbajnë realisht funksionimin e përditshëm brenda burgjeve, duke sjellë gjithçka nga ushqimi deri te çarçafët, për shkak të mungesës së kushteve minimale."-tha Çaça.

Sipas tij, kjo situatë ka krijuar një pabarazi të theksuar mes të dënuarve, ku ata me mundësi financiare arrijnë të kenë kushte më të lehta, ndërsa të tjerët përballen me vështirësi më të mëdha.

"Brenda të njëjtit institucion krijohen dy realitete të ndryshme: një për ata që kanë mundësi dhe një tjetër për ata që nuk kanë, çka e rëndon më shumë dënimin për shtresat më të dobëta."-shtoi avokato.

Ai ngriti shqetësim edhe për kushtet e ambienteve ku zhvillohen takimet mes avokatëve dhe të dënuarve, të cilat sipas tij nuk janë në standardin e duhur dhe shpesh nuk ofrojnë as kushte minimale pune.

Në fund u theksua se pavarësisht ligjeve ekzistuese që parashikojnë standarde moderne për trajtimin e të dënuarve, mungesa e infrastrukturës dhe zbatimit praktik e bën sistemin larg funksionimit real të tij.

NDIQNI EMISIONIN E PLOTË "DREJT" NË ORA NEWS: