Përfshihet nga flakët reparti i përpunimit të baterive në Elbasan, dyshimet
Një vatër zjarri ka përfshirë në orët e para të mëngjesit një repart të përpunimit të baterive në qytetin e Elbasanit, duke shkaktuar momente paniku dhe alarmi për bizneset që ndodheshin pranë zonës industriale.
Sipas informacioneve paraprake, ngjarja është regjistruar rreth orës 04:00 të mëngjesit (22 maj), kur flakët kanë shpërthyer brenda repartit dhe janë përhapur me shpejtësi, të favorizuara edhe nga materialet e ndodhura në ambientet e brendshme të objektit.
Pas sinjalizimit, në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse, të cilat kanë ndërhyrë për të neutralizuar flakët dhe për të shmangur përhapjen e zjarrit në repartet dhe bizneset përreth.
Burime paraprake bëjnë me dije se dyshohet që shkak i zjarrit të ketë qenë një rrjedhje gazi nga një depozitë e vendosur brenda repartit të përpunimit të baterive.
Megjithatë, shkaku i saktë pritet të përcaktohet pas ekspertizës teknike dhe hetimeve të nisura nga autoritetet kompetente.
Fatmirësisht, nga incidenti nuk raportohen persona të lënduar, ndërsa dëmet materiale mbeten ende në proces vlerësimi.
