Bie zjarr në repartin e përpunimit të baterive në Elbasan, dyshohet se ka ndodhur për shkak të rrjedhjes së gazit nga një depozitë
Një zjarr ka rënë orët e para të mëngjesit të ditës së sotme në repartin e përpunimit të baterive në Elbasan. Ngjarja është regjistruar rreth orës 04:00 të mëngjesit, ndërsa situata ka shkaktuar panik dhe frikë për përhapje masive, tek banorët dhe bizneset pranë ambientit.
Flakët përfshinë të gjithë ambientin, ndërsa përhapja e tyre u favorizua nga materialet të cilat ndodheshin brenda tij. Forcat zjarrfikese kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe kanë bërë të mundur neutralizimin dhe shuarjen e tyre, gjë e cila ka shmangur përfshirjen e bizneseve të tjera.
Dyshohet se shkak i zjarrit të ketë qenë një rrjedhje gazi nga një depozitë e vendosur brenda repartit të përpunimit të baterive. Fatmirësish si pasojë e kësaj ngjarje nuk ka pasur persona të lënduar, por dëmet materiale janë të konsiderueshme. Policia dhe grupi hetimor kanë shkuar në vendngjarje dhe po hetojnë më shumë mbi shkaqet dhe rrethanat e rënies së zjarrit.