Brenda sistemit të burgjeve/ Bregu: Rehabilitimi ekziston vetëm në letër, jo në praktikë

Në emisionin “Drejt” në Ora News, i ftuar ishte gazetari dhe pedagogu Zylyftar Bregu, i cili foli për gjendjen e sistemit penitenciar në Shqipëri dhe sfidat që lidhen me rehabilitimin e të dënuarve.

Ai u ndal te mënyra se si funksionon aktualisht sistemi i burgjeve, duke e përshkruar rehabilitimin si një proces që në praktikë nuk po realizohet.

"Rehabilitimi sot në burgje është më shumë formal sesa real. Në thelb nuk funksionon siç është konceptuar, dhe kjo tregon se sistemi ka probleme që në bazë të tij."-tha Bregu.

Sipas tij, mungesa e zbatimit të plotë të këtij procesi lidhet me mënyrën se si është ndërtuar dhe menaxhuar sistemi ndër vite, duke e bërë risocializimin thuajse të pamundur.

"Kur një sistem synon rehabilitimin, por nuk e realizon në praktikë, atëherë duhet rishikuar vetë struktura e tij. Nuk mjafton vetëm koncepti në letër."-shtoi ai.

Gjatë diskutimit u përmend edhe ndryshimi i profilit të të burgosurve ndër vite.

Sot, sipas tij, në institucionet e vuajtjes së dënimit gjenden persona me nivele të ndryshme arsimore dhe profesionale, përfshirë edhe figura me pozicione të larta shtetërore në të kaluarën.

Ai vuri në dukje se infrastruktura e burgjeve mbetet e vjetër dhe shpesh nuk i përgjigjet standardeve moderne, ndërsa edhe elementë si bibliotekat apo aktivitetet rehabilituese funksionojnë në mënyrë të kufizuar dhe me procedura të vështira aksesimi.

NDIQNI EMISIONIN E PLOTË "DREJT" NË ORA NEWS: