Shkupi proteston për “Shqipen”, Vengu: Studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut e treguan sërish se “gjuha nuk lyp leje”

Studentët shqiptarë protestuan sot pasdite në Shkup për mbrojtjen e përdorimit të gjuhës shqipe në provimet profesionale.

Qindra studentë dhe qytetarë u mblodhën  pranë Urës së Gurit, duke kërkuar që provimi i jurisprudencës të organizohet edhe në gjuhën shqipe.

Protesta u zhvillua nën moton “Bashkohuni me studentët të gjithë me një zë”, ndërsa pjesëmarrësit marshuan me pankarta dhe thirrje në mbështetje të të drejtave gjuhësore dhe barazisë qytetare.

Organizatorët theksojnë se protesta nuk është kundër askujt, por synon mbrojtjen e gjuhës shqipe, dinjitetit dhe të drejtave të shqiptarëve si qytetarë të barabartë në Maqedoninë e Veriut.

Në thirrjen drejtuar opinionit publik, studentët kanë ftuar sportistë, artistë dhe figura publike që t’u bashkohen protestës dhe të mbështesin kauzën e tyre.

Studentët kërkojnë që institucionet përgjegjëse të garantojnë të drejtën për zhvillimin e provimeve profesionale edhe në gjuhën shqipe, duke e cilësuar këtë si një të drejtë themelore dhe kushtetuese.

Protesta e sotme është përshëndetur edhe nga deputeti i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Piro Vengu.

REAGIMI I VENGUT

Studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut e treguan sërish se “gjuha nuk lyp leje”.

Kësaj here më të shumtë, më energjikë dhe me mbështetjen e studentëve nga Tirana dhe nga gjithë shqiptaria. Edhe kur dikush mendon se mund të ndalojë studentët me pengesa burokratike, energjia e një kauze të drejtë gjen gjithmonë rrugën e saj.

Një shembull europian në zemër të Shkupit se si protesta paqësore dhe qytetare mund të kthehet në zërin e një të drejte themelore, larg tensioneve që nuk kanë vend në fqinjësinë e mirë ku synojmë të jetojmë bashkë.

E drejtë dje, e drejtë sot dhe më e fortë çdo ditë, deri në fitoren e saj. Gjithmonë me ju!