Këshilli i BE-së: Përparim i mirë, optimizëm për marrëveshje ditët në vijim për raportin IBAR për Shqipërinë

Në Këshillin e Bashkimit Evropian, 27 vendet anëtare të Unionit kanë bërë përparim të mirë në bisedimet për Shqipërinë dhe janë afër arritjes së pozicionit të përbashkët për miratimin e IBAR, Raportin e Vlerësimit të Pikave të Ndërmjetme për progresin e deritanishëm të Shqipërisë, që do t’i hapte rrugë mbylljes së kapitujve në procesin e negociatave.

Një burim brenda Këshillit të BE-së konfirmoi për Report TV se pas përparimit, në mbledhjen e fundit ka optimizëm se qëndrimi i përbashkët për grupkapitullin 1 të arrihet në ditët në vijim.

“Po, është arritur përparim i mirë në mbledhjen e fundit të COELA-s mbi draftin e ndërmjetëm të Pozicionit të Përbashkët të BE-së (EUCP) për grupkapitullin 1. Ne kurrë nuk zbulojmë detaje të diskutimeve të tilla në organet përgatitore të Këshillit, përfshirë COELA-n, për shkak të natyrës së tyre rreptësisht konfidenciale. Siç u tha më sipër, është bërë përparim. Qëndrimet e shteteve anëtare janë afruar mbi tekstin, por ende nuk është arritur konsensus”, thonë burime brenda Këshillit të Bashkimit Evropian.

Këshilli evidenton faktin se periudha dymujore e deritanishme e diskutimeve është normale për çështje të tilla.

“Në të tilla raste të ngjashme kërkohen gjithmonë diskutime të gjata dhe të vështira. Nuk është e lehtë të arrihet dakordësi mes të 27 shteteve anëtare për një tekst të përbashkët, ndaj periudha prej dy muajsh duket krejt normale. COELA do t’i rikthehet kësaj çështjeje të martën e ardhshme, më datë 19 maj, dhe ekziston një optimizëm i kujdesshëm se një marrëveshje mund të arrihet relativisht shpejt në ditët në vijim”, thonë më tej burimet brenda Këshillit të Bashkimit Evropian.

Në fund të muajit shkurt Komisioni Europian i dorëzoi vendeve anëtare raportin mbi ecurinë e Shqipërisë në plotësimin e atyre që quhen piketat e ndërmjetme e që përfshijnë fusha delikate si sundimi i Ligjit e drejtësia.

Për Komisionin Europian vlerësimi ishte pozitiv. Deri më tani mes vendeve anëtare, të përfaqësuara në Grupin e punës për Zgjerimin, COELA, janë zhvilluar disa takime.

Shqipëria hapi në një kohë rekord të gjithë grupkapitujt e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Europian. Miratimi i IBAR-it është pengesa e radhës për t’u kapërcyer, në mënyrë që procesi i negociatave të hyjë në fazën e mbylljes së grupkapitujve.