"Është rritur në strukturat e PD-së"/ Hitaj për Salianjin: Nuk mund ta quash sot jo-politik një dënim që dje e mbroje si të tillë
Gazetari Arbër Hitaj, i ftuar në emisionin “Drejt” në Ora News, komentoi zhvillimet brenda Partisë Demokratike dhe debatet që kanë shpërthyer pas lënies jashtë listave të Ervin Salianjit.
Gjatë diskutimit, Hitaj foli për rrugëtimin politik të Salianjit, rolin e tij në PD dhe ndikimin që ka pasur në jetën politike të opozitës.
Sipas Hitajt, Salianji është një nga figurat që është rritur politikisht brenda strukturave të Partisë Demokratike, duke nisur nga forumet rinore deri te funksionet më të rëndësishme në opozitë.
Ai kujtoi se Salianji u përfshi herët në gara politike brenda partisë dhe arriti të fitojë mbështetje të konsiderueshme në qarkun e Korçës.
“Është një politikan që është rritur në strukturat e Partisë Demokratike. Ka hyrë i ri në PD dhe sot është një nga figurat më të njohura të saj.”-tha gazetari.
Hitaj solli në vëmendje edhe angazhimin e Salianjit në aksionin opozitar, sidomos në denoncimet publike për kultivimin e kanabisit dhe aktivitetin politik në zona si Kavaja dhe Elbasani, ku sipas tij ka qenë një figurë aktive dhe përballëse.
Ai u ndal edhe te mënyra si Partia Demokratike po trajton çështjen e Salianjit pas dënimit të tij. Sipas gazetarit, ka një kontradiktë në qëndrimin e lidershipit të PD-së, pasi më herët dënimi ishte cilësuar politik dhe ishte përdorur si pjesë e betejës së opozitës.
“Nëse një dënim është quajtur politik për vite me radhë, nuk mund të ndryshojë papritur vetëm sepse nuk të leverdis më politikisht.”-shtoi ai.
Në analizën e tij, Hitaj tha se përjashtimi i figurave si Salianji krijon përshtypjen se PD po ndjek të njëjtin model që kritikon te kundërshtarët politikë. Sipas tij, një parti që kërkon të paraqitet si alternativë duhet të tregojë standarde të tjera në raport me demokracinë e brendshme dhe garën politike.
NDIQNI EMISIONIN E PLOTË "DREJT" NË ORA NEWS:

