Gazetari Koçi: E ardhmja e opozitës e bllokuar në zgjedhje, Salianji orienton strategjinë drejt PD-së
I ftuar në emisionin “Drejt” në Ora News, gazetari i A2 CNN, Ervin Koçi, komentoi situatën politike të ish-deputetit Ervin Salianji dhe pozicionin e tij brenda Partisë Demokratike.
Sipas analizës së tij, Salianji ndodhet në një situatë të vështirë politike për shkak të një vendimi gjyqësor të formës së prerë dhe zbatimit të ligjit të dekriminalizimit, që i kufizon mundësinë për të kandiduar në zgjedhjet parlamentare të vitit 2029.
“Zoti Salianji e ka të pamundur të garojë në zgjedhjet e vitit 2029 për shkak të vendimit gjyqësor dhe ligjit të dekriminalizimit.”-shtoi gazetari.
Koçi tha se në këto kushte, hapësirat e tij për të mbetur aktiv në politikë janë të kufizuara, duke e çuar drejt një pozicionimi të ri brenda strukturave të Partisë Demokratike.
Ai vlerësoi se, duke mos pasur mundësi për të garuar për poste publike, Salianji po kërkon të konsolidojë një rol të brendshëm në parti, si mënyrë për të vijuar karrierën politike edhe përtej vitit 2029.
“Duke qenë se nuk ka mundësi të garojë për pozicione publike, ai po kërkon të mbetet protagonist brenda Partisë Demokratike.”-tha ai.
NDIQNI EMISIONIN E PLOTË "DREJT" NË ORA NEWS:

