Shqipëria në pritje të hapit të radhës në BE/ KE për Ora News: Progres i mirë dhe teksti i draftit të EUCP-së relativisht “i stabilizuar”
Shqipëria vijon procesin në kuadër të negociatave me Bashkimin Evropian, ndërsa ende nuk është dhënë një miratim për raportin e përkohshëm të vlerësimit të kritereve (IBAR), i cili lidhet me ecurinë e vendit në përmbushjen e detyrimeve për hapjen dhe mbylljen e kapitujve.
Sipas informacionit nga institucionet e BE-së, ky dokument shërben si bazë për fazat e mëtejshme të procesit dhe nuk konsiderohet një vendim formal i Këshillit.
Ndërkohë, nesër pritet të zhvillohet një takim i Grupit të Punës COELA, ku në rend dite është edhe diskutimi i draftit të EUCP-së së përkohshme për Shqipërinë, si dhe çështje të tjera që lidhen me vendet e Ballkanit Perëndimor.
Burimet për Ora News, bëjnë të ditur se është arritur një progres në përgatitjen e draftit, i cili konsiderohet në një fazë të avancuar, por ende nuk ka një marrëveshje të plotë mes shteteve anëtare.
Disa vende të BE-së po vijojnë shqyrtimin e tekstit, ndërsa për miratimin kërkohet dakordësia e të gjitha shteteve anëtare.
Procesi pritet të vijojë në ditët në vijim, ndërsa çdo vendim final do të varet nga arritja e konsensusit brenda Këshillit të Bashkimit Evropian.
INTERVISTA E PLOTË ME KËSHILLIN E EUROPËS:
Unë jam Bekim Bici, gazetar në Ora News në Tiranë.
Shqipëria ende nuk ka marrë miratimin për IBAR-in, Raportin e Vlerësimit të Përkohshëm të Kritereve Referuese mbi progresin e arritur deri tani, i cili do të hapte rrugën për mbylljen e kapitujve në procesin e negociatave për anëtarësim në BE.
= vetëm një koment nga perspektiva e Këshillit: IBAR shërben si bazë për EUCP-në, kështu që nuk bëhet fjalë për “miratim” nga Këshilli të një dokumenti/raporti të Komisionit (IBAR).
Së fundmi, ka pasur raportime brenda Këshillit për një takim që pritet të zhvillohet më 19, ku pritet të diskutohet progresi i Shqipërisë. A do të ketë një takim të COELA-s lidhur me Shqipërinë dhe, nëse po, kur pritet të mbahet saktësisht?
= në fakt, nesër do të mbahet një takim i Grupit të Punës COELA, ku ndër të tjera në rendin e ditës do të diskutohet drafti i EUCP-së së përkohshme. Për shembull, përveç Shqipërisë, grupi i punës do të diskutojë edhe nismën RLAH në Ballkanin Perëndimor, Serbinë, Malin e Zi etj.
A ka pasur ndonjë progres në qëndrimin e COELA-s lidhur me draftin e Pozicionit të Përbashkët të Përkohshëm të BE-së (EUCP) për Klasterin 1?
= është arritur progres i mirë dhe teksti i draftit të EUCP-së duket relativisht “i stabilizuar”.
Kryeministri Edi Rama ka lënë të kuptohet së fundmi për zhvillime pozitive në këtë drejtim në ditët në vijim. A ka pasur progres drejt një marrëveshjeje mes shteteve anëtare për miratimin e IBAR-it dhe a mund të ketë një rezultat pozitiv në takimin e ardhshëm të COELA-s?
= COELA duket pranë një marrëveshjeje, por disa shtete anëtare ende nuk janë në pozitë për të dhënë dritën jeshile për draftin e EUCP-së së përkohshme, pasi ende po shqyrtojnë tekstin. Unanimiteti është absolutisht i domosdoshëm për vendime të tilla, kështu që të gjitha shtetet anëtare duhet të bien dakord për të arritur një marrëveshje./Burime nga Këshilli i Europës