“Kryetar i përjetshëm?”/ Beqiri: PD shmang garën e vërtetë nga frika e një fryme të re brenda partisë
I ftuar në emisionin “Drejt” në Ora News, avokati Evarist Beqiri komentoi situatën brenda opozitës dhe mënyrën se si po funksionon sot Partia Demokratike. Sipas tij, opozita ndodhet në një fazë ku fokusi kryesor është ruajtja e strukturës aktuale dhe jo ndërtimi i një alternative bindëse për qytetarët.
Beqiri tha se mungesa e besueshmërisë në publik po e detyron opozitën të luftojë më shumë për mbijetesë politike sesa për zgjerim.
“Ne duam të mbajmë këta militantët që kemi, këtë pjesë të elektoratit që kemi. Unë nuk shikoj ndonjë strategji largpamëse për të ndryshuar në radhë të parë vetveten.”-tha Beqiri.
Sipas tij, Partia Demokratike ka nevojë për një elitë të re drejtuese dhe për një garë të hapur brenda partisë, por kjo pengohet nga pasiguria që ekziston në lidership.
Në analizën e tij, ai kujtoi edhe garën mes Sokol Olldashit dhe Lulzim Bashës, duke e cilësuar si një proces ku rezultati ishte i orientuar drejt një fituesi të paracaktuar. Për Beqirin, edhe sot ekziston e njëjta frikë nga krijimi i një fryme të re apo grupimesh të pakënaqura brenda partisë.
“Nuk do që të krijojë një frymë tjetër brenda partisë, sepse rrezikon të grumbullohen individët e pakënaqur në një organizim që mund të rrezikojë lidershipin.”- u shpreh avokati.
Në fund, Beqiri ironizoi situatën në PD, duke thënë se nëse nuk do të ketë garë reale, atëherë partia mund ta formalizojë këtë situatë edhe në statut, duke shmangur përfundimisht zgjedhjet e brendshme.
NDIQNI EMISIONIN E PLOTË "DREJT" NË ORA NEWS:
