Shtyhet afati për në BE? Mziu: Shqipëria po bën hapa pas. Ja pse e votuam Rezolutën e Integrimit
Procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian vijon të jetë në qendër të debatit politik, ku opozita akuzon qeverinë për mungesë progresi dhe për hapa pas.
Sipas deputetit demokrat Xhelal Mziu, vendi jo vetëm që nuk po ecën përpara drejt standardeve të kërkuara, por po shfaq shenja regresioni, duke e larguar vizionin e "Shqipërisë 2030" të proklamuar nga kryeministri Rama.
I ftuar në studion e lajmeve në “Ora News”, Mziu theksoi se Partia Demokratike votoi pro një rezolute për integrimin për të mos i dhënë mundësi maxhorancës ta përdorë si justifikim për bllokimin e procesit.
Megjithatë, ky votim u shoqërua me një rezolutë të veçantë nga opozita, ku përcaktohen hapa konkretë që duhet të ndërmarrë qeveria.
Mziu rikujtoi situatën e vitit 2012, ku Shqipëria ishte në një tren progresi të jashtëzakonshëm me anëtarësimin në NATO dhe liberalizimin e vizave, ndërsa sot situata paraqitet ndryshe.
Një nga kritikat kryesore të ngritura është shtyrja e vazhdueshme e afateve për anëtarësim.
“Kryeministri nuk e përdor më vitin 2027, tani ka kaluar te 2028-a dhe jam i sigurt se do të vazhdojë me 2029-ën e 2030-ën”, u shpreh ligjvënësi demokrat.
Sipas tij, kjo tregon se nuk ka një progres real, një fakt që mbështetet edhe nga raportet ndërkombëtare që theksojnë se në Shqipëri bëhen ligje, por ato nuk zbatohen.
Në këtë kontekst, Shqipëria mbetet pas vendeve të tjera të rajonit, si Mali i Zi, i cili citohet se është shumë herë më përpara në këtë proces.
Ndërsa konsensusi për çështjen e integrimit u arrit, mbetet pikëpyetje nëse një dakordësi e tillë do të gjendet edhe për reformat e rëndësishme që priten, si ajo territoriale dhe zgjedhore, të cilat do të jenë sfida e radhës për politikën shqiptare.

