Ku fshihet pasuria e grupit kriminal PEPA: gjurmët që të çojnë në Ibiza dhe disa pyetje për SPAK
SPAK sekuestroi 232 pasuri në Shqipëri, por diferenca mes parave të trafikut dhe aseteve të kapura nuk gjendet dot.
Burimet e Pamfletit tregojnë se baza e vërtetë e pasurisë së grupit Pepa ndodhet në Ibiza..
SPAK goditi më 15 prill një nga grupet më të fuqishme kriminale shqiptare, duke sekuestruar 232 pasuri me vlerë formale 12 milionë euro. Llogaritja totale e investimeve të dyshuara në Shqipëri arrin rreth 69 milionë euro. Por këto shifra, sado mbresëlënëse, nuk përbëjnë as gjysmën e pasurisë reale që grupi i Jetmir Pepës grumbulloi gjatë viteve të trafikut.
Llogaria e vërtetë është shumë më e thjeshtë nga sa duket: 7.5 tonë kokainë të trafikuara në 11 muaj, me vlerë tregu europian që kalon 280 milionë euro, kundrejt 69 milionë eurove të evidentuara në Shqipëri. Diferenca prej rreth 211 milionë eurosh nuk është zhdukur. Ajo thjesht nuk ndodhet në Shqipëri.
Burime për Pamfleti tregojnë se baza e pasurive të grupit Pepa ndodhet në Ibiza.
Ky nuk është një supozim i hedhur në ajër. Ka një logjistikë të tërë që e mbështet këtë pistë dhe që nis me një emër të njohur për dosjen: Aleks Pepa, vëllai i Jetmirit dhe operatori i mbledhjes së parave në rrjet. Aleks Pepa ka deklaruar vetë në komunikimet e zbërthyera nga Sky ECC se disponon 30 milionë euro cash nga "puna", plus 15 milionë dirhamë në Dubai, rreth 3.7 milionë euro shtesë. Kjo shifër prej 33.7 milionë eurosh, që njëri prej anëtarëve kryesorë të grupit e pranon hapur se nuk po arrin dot as ta mbledhë, është pothuajse trefishi i 12 milionë eurove të sekuestruara në Shqipëri. Paratë ekzistojnë dhe pista më e nxehtë për t'i gjetur kalon nga Spanja.
Vëllai i 'Kazanovës', Aleks Pepa e njeh Spanjën që nga viti 2010, kur filloi të punonte në Valencia. Valencia nuk është një qytet i rastësishëm në hartën e trafikut ndërkombëtar të kokainës. Porti i saj është porta kryesore e hyrjes së kokainës latino-amerikane në Spanjë, dhe nga Valencia niset një korridor i mirëvajtur detar drejt Ibizës, me linja jahtesh dhe anijesh tregtare që përdoren rutinisht nga rrjetet shqiptare. Për një grup që trafikoi 7.5 tonë kokainë përmes porteve të Roterdamit dhe Antwerp-it, lëvizja e parave përmes të njëjtit korridor është logjika më elementare e operacionit.
Pastaj vjen arsyeja më konkrete: Ibiza është një makinë larjeje parash pa të meta për kapitalin e trafikut. Çmimi i një vile në San Antonio ose Santa Eulària varion nga 2.5 deri në 8 milionë euro. Një blerje e vetme me cash në këto shifra thith 5 deri në 10 milionë euro pa kaluar fare në sistemin bankar shqiptar dhe pa ndezur asnjë alarm te autoritetet. Po ashtu, ekonomia e ishullit gjatë sezonit turistik, me klube nate që faturojnë rreth 200 mijë euro në mbrëmje, restorante plazhi, marina jahtesh dhe shërbime turistike që operojnë gjerësisht me para fizike, ofron një mbulesë të përkryer për pastrimin e shumave të mëdha.
Një klub i vetëm mund të absorbojë 10 deri në 15 milionë euro cash në vit përmes xhiros së fryrë. Modeli operativ që grupi Pepa përdori në klubin Soluna në Shëngjin, të sekuestruar nga SPAK, sugjeron se kjo teknikë tashmë është provuar me sukses.
Në Ibiza, Jetmir Pepa njihet si "mbreti" shqiptar i ishullit. Frekuentimi i Balearëve nga ky grup nuk është histori e muajve të fundit, por një prani e konsoliduar prej vitesh, me vila, jahte dhe festa ku kanë marrë pjesë VIP-a shqiptarë të ftuar për të parë nga afër pasurinë që paratë e kokainës kishin ndërtuar në Mesdhe. Këto festa nuk ishin thjesht argëtim. Ato ishin ekspozitë pushteti, një mesazh i heshtur për këdo që dyshonte se sa thellë kishin depërtuar në ekonominë e ishullit.
Në këtë pamje shtohet edhe faktori juridik. Spanja ka një traditë të procedurave të gjata gjyqësore për pasuritë e huaja dhe një sistem bankar që deri vonë aplikonte standarde më të dobëta të verifikimit të klientit për blerjet imobiliare nga shtetas të vendeve të treta. Për një organizatë kriminale që kërkon të parkojë pasuri pa u zbuluar, ky kombinim vlen më shumë se çdo strukturë offshore.
Një pjesë tjetër e pasurive të perandorisë Pepa është investuar në Dubai. Këtë e konfirmojnë po bisedat e Sky ECC. Por Dubai, me rregullat e veta strikte për imobiliet dhe me presionin ndërkombëtar që është rritur ndjeshëm vitet e fundit, duket më shumë një pikë tranziti sesa një bazë e përhershme. Baza e vërtetë, ajo ku paratë pushojnë së qeni para droge dhe bëhen vila, jahte dhe biznese legjitime, mbetet Ibiza./PAMFLETI


