“Reforma territoriale duhet të fokusohet te qytetari”/ Kume: Qytetarët të jenë aktivë dhe të kërkojnë zgjidhje
Ish-kryetari i KQZ-së, Kristaq Kume, në një lidhje direkte për Ora News ka komentuar procesin e reformës territoriale, duke ngritur shqetësime për mënyrën se si po diskutohet ndarja e re vendore në vend.
Sipas tij, ekziston rreziku që procesi të orientohet më shumë nga përfitimet elektorale sesa nga nevojat reale të qytetarëve dhe përmirësimi i shërbimeve publike në nivel vendor.
Kume vlerëson se reforma duhet të ketë në qendër komunitetet dhe funksionimin më të mirë të pushtetit vendor, duke shmangur çdo ndikim politik që lidhet me zgjedhjet e ardhshme.
“Kam përshtypjen se në këtë proces po dominon më shumë logjika e përfitimeve elektorale sesa ajo e mirëqeverisjes së komuniteteve. Reforma territoriale duhet të fokusohet te qytetari dhe te shërbimet që ai merr në mënyrë të drejtpërdrejtë.”-tha Kume.
Pas diskutimeve me qytetarët në disa njësi vendore, Kume thotë se këto takime kanë vlerë, por ajo që ka më shumë rëndësi është përmbajtja reale e vendimeve që dalin prej tyre dhe jo vetëm procesi i konsultimeve.
Ai shton se qytetarët nuk duhet të mbeten pasivë në këtë proces, por të kërkojnë që çdo ndryshim të sjellë përmirësim të funksionimit të pushtetit vendor.
“Qytetarët duhet të jenë pjesë aktive e këtij procesi që u shërbejnë realisht atyre. Reforma territoriale nuk mund të shihet vetëm si një proces politik, por si një vendim që ndikon drejtpërdrejt në jetën e përditshme.”-shtoi ish-kreu i KQZ.

