FUSHATA 15-VJEÇARE E BASHKËPUNIMIT/ Policia dhe Guarda di Finanza nisin monitorimin ajror 2026 dhe goditjen e narkotikëve
Policia e Shtetit dhe Guardia di Finanza kanë çelur për të 15-in vit radhazi fushatën e përbashkët për monitorimin ajror të territorit, me fokus parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike.
Fushata, e cila zhvillohet në kuadër të bashkëpunimit mes dy institucioneve, synon rritjen e kontrollit në terren përmes monitorimit nga ajri dhe përdorimit të teknologjive të avancuara.
Këtë vit parashikohet shtim i fluturimeve, më shumë orë operacionale dhe angazhim më i madh i personelit.
Gjatë ceremonisë së hapjes, drejtuesit e policisë shqiptare dhe përfaqësuesit italianë vlerësuan bashkëpunimin si një model të qëndrueshëm që ka dhënë rezultate konkrete në uljen e rasteve të kultivimit të kanabisit dhe në identifikimin më të shpejtë të zonave me risk.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, u shpreh se lufta kundër narkotikëve lidhet drejtpërdrejt edhe me mbrojtjen e së ardhmes së shoqërisë, duke e cilësuar bashkëpunimin me palën italiane si një nga faktorët kryesorë të suksesit në këtë drejtim.
Nga ana e tij, përfaqësuesi i Guardia di Finanza vlerësoi ecurinë e deritanishme të fushatës dhe gatishmërinë e Policisë së Shtetit për ndërhyrje të shpejtë në çdo rast të raportuar, duke e cilësuar partneritetin mes dy vendeve si të qëndrueshëm dhe efektiv.
Fushata e monitorimit ajror pritet të vijojë gjatë sezonit 2026 në disa faza, duke mbuluar zona të ndryshme të territorit të vendit.

