INVESTIGIM / Gropa e zezë e Alma Tafanit. “Zhduken” 35 ton produkte të skaduara “Zepa Natyral”
Teksa Policia e Shtetit ka shpallur në kërkim biznesmenen Alma Tafani pas incidentit të rëndë të helmimit të 56 studentëve në Akademinë e Sigurisë, ku kompania e saj e kateringut "SORI-AL" bënte furnizimin me ushqim, një tjetër kompani e Tafanit është vendosur në qendër të skandalit.
Një investigim i Televizionit Ora News ka hedhur dritë mbi fabrikën e përpunimit të qumështit “Zepa ”, ku admistratore rezulton sërish shtetasja Alma Tafani, duke zbuluar një gropë të zezë me asgjësimin e produkteve të skaduara.
Bëhet fjalë për një sasi prej 35 tonësh produkte të skaduara “Zepa Natyral”, të cilat nuk dihet se ku kanë përfunduar.
Në kërkim të transparencës për sigurinë e konsumatorit, Ora News i është drejtuar me kërkesë zyrtare për informacion Autoritetit Kombëtar të Ushqimit dhe Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, për të gjithë procesin e asgjësimit nga janari i vitit 2020 deri në dhjetor të vitit 2025.
Përgjigjet zyrtare kanë nxjerrë në pah një skemë tronditëse mospërputhjesh, AKU konfirmon se në vitin 2020 kompania ka deklaruar asgjësimin e 17 ton produkteve të skaduara, ndërsa në vitin 2021 kjo sasi ishte 18 ton.
Teksa AKU e ka rregjistruar këtë sasi si të dalë për asgjësim, institucioni që mban vulën finale për vendin dhe mënyrën e groposjes, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, deklaron se nuk ka asnjë informacion.
Në përgjigjen e saj zyrtare, AKM konfirmon se nuk është lajmëruar dhe nuk ka pasur asnjë përfaqësues prezent në procesin e asgjësimit të këtyre ushqimeve, siç e kërkon rreptësisht ligji.
Kjo situatë ngre pikëpyetje serioze që godasin direkt sigurinë ushqimore në vend: Ku përfunduan 35 ton produkte të skaduara të “Zepa Natyral” ?
Pa një proces të monitoruar groposjeje, dyshimet e forta bien mbi mundësinë e rikthimit të këtyre produkteve të rrezikshme në zinxhirin e përpunimit apo shitjes, duke kërcënuar shëndetin e qytetarëve.
Më herët Tv Ora News ka publikuar një tjetër skandal të kompanisë Zepa e cila ka hedhur në treg 9948 litra qumësht lope dhe dhie ne aflatoksinë. Informacioni i Ora News për hedhjen në treg të qumështit të rrezikshëm u konfirmua edhe nga AKU. Ky institucion ka gjobitur kompaninë në vlerën 300.000 lekë .

