Atentati ndaj ‘Guccit’ të TikTok-ut në Durrës/ Arrestohet 23-vjeçari për vr*sje të mbetur në tentativë

Policia e Durrësit njoftoi arrestimin e një 23-vjeçari, i cili në bashkëpunim me persona të tjerë dyshohet se ka tentuar të vrasë me armë zjarri Fabion Kuçin, i njohur edhe si “Gucci” i TikTok-ut.

Ngjarja është regjistruar më 15 dhjetor të vitit të kaluar në qytetin bregdetar.

Në pranga ka përfunduar Florian Brahaj, ndaj të cilit Gjykata e Durrësit ka caktuar në mungesë masën e sigurisë “arrest me burg” për veprën penale “Vrasje me paramendim”, e mbetur në tentativë.

I riu është lokalizuar dhe ndaluar në Tiranë, ku dyshohet se fshihej për t’i shpëtuar përballjes me drejtësinë për sulmin me armë ndaj 35-vjeçarit Kuçi, i cili ka mbetur i plagosur, por jashtë rrezikut për jetën.

Ngjarja është shënuar pranë një lokali në lagjen 9 të qytetit të Durrësit.

Sipas hetimeve, Florian Brahaj dhe tre persona të tjerë janë afruar me dy automjete në vendngjarje dhe më pas kanë hapur zjarr ndaj shënjestrës.

Fabion Kuçi rezulton me precedentë penalë jashtë vendit dhe i dënuar në Angli.

Ai ishte kthyer në Shqipëri disa muaj më parë dhe ishte bërë aktiv në platformën TikTok, ku shpesh është përfshirë në përplasje me persona të tjerë të rrjetit social, mes tyre Kozak Braçi dhe Xhemal Ujka, i njohur si “Fire”.

Dyshohet se atentati mund të ketë ardhur si pasojë e një konflikti të nisur më herët në rrjetet sociale.

Florian Brahaj pritet të dalë para gjykatës për rivlerësimin e masës së sigurisë, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe personave të tjerë të përfshirë.