ZBËRTHIMI I TELEFONIT/ “Ora News” publikon pamjet e Izmir Sakicës teksa stërvitet për qitje në një “poligon” të sajuar
Këto janë disa nga pamje të tjera të siguruara nga “Ora News”, që janë marrë nga telefoni i Izmir Sakicës dhe të cilat janë përdorur nga Prokuroria e Posaçme për dosjen penale ndaj grupit kriminal të Shkodrës, të dyshuar se drejtohej nga Safet Bajri.
Në videon e krijuar me datë 02.10.2024, evidentohet fakti se shtetasi Izmir Sakicaj po gjuan me një armë zjarri në një zonë në dukje të pabanuar.
Duket sikur shtetasi po stërvitet të gjuajë me armë zjarri të gjatë. Në fillim të videos, shfaqen dy shtetas, njëri i veshur me të zeza e me kapuç në kokë (Izmir Sakicaj); dhe një shtetas tjetër mashkull, i veshur me xhup të zi, pantollona kafe dhe një çantë të lidhur në pjesën e perparme të trupit.

Duket sikur shtetasi i paidentifikuar e mëson shtetasin Izmir Sakicaj si të përdorë armën. Pas largimit të shtetasit të paidentifikuar, Izmir Sakicaj gjuan në breshëri.

Po ashtu, në fotot e marra paraqiten disa fragmente të cilat tregojnë se përdoruesi i këtij aparati celular, Izmir Sakicaj, ka traportuar para në vlera të mëdha të cashit.

Nga këqyrja në tërësi e këtij akti - ekspertimi, nuk janë evidentuar të dhëna mbi burimin e këtyre të ardhurave, apo ku janë të destinuara tё dërgohen.
