E-Albania jashtë funksionit për 3 ditë, Malaj: Qeveria do të ndërhyjë nëse ka penalitete
Portali e-Albania do të jetë jashtë funksionit për tre ditë, nga data 15 deri më 18, për shkak të punimeve për një infrastrukturë të re.
Ky bllokim i paralajmëruar ka ngritur shqetësime për qytetarët dhe bizneset, duke pasur parasysh se shumë shërbime tashmë ofrohen ekskluzivisht online.
Mungesa e sporteleve fizike për shërbime të caktuara rrezikon të krijojë vështirësi dhe bllokime për individët që kanë nevojë të aksesojnë dokumente apo të kryejnë aplikime brenda këtyre datave.
I pyetur në lidhje me këtë situatë, Ministri i Financave, Petrit Malaj, edhe pse e adresoi pyetjen tek institucioni përgjegjës, dha një garanci të rëndësishme për qytetarët.
Ai theksoi se në rast se mosfunksionimi i sistemit do të shkaktojë vonesa që sjellin penalitete për tatimpaguesit apo individët, qeveria do të ndërhyjë.
Petrit Malaj: "Unë besoj që kjo është një pyetje që do të duhet t'i adresohet institucionit përgjegjës.
Unë mund t'ju them që në rast se problematikat të cilat vijnë nga sistemi online janë problematika që afektojnë në rastin konkret tatimpaguesit apo individët për marrjen e shërbimeve.
Patjetër që në qoftë se këto vonesa do të sjellin penalitet për qytetarët, unë besoj që qeveria do të marrë të gjitha masat e nevojshme që të tejkalojmë këto lloj penalitetesh që mund të lindin si rezultat i mosfunksionimit të sistemit e-Albania."
