PAMJET/ 80-vjeçarja kthen apartamentin në grumbull mbetjesh, banorët e pallatit në Laç në alarm për epidemi
Banorët tregojnë se problemi vazhdonte prej të paktën pesë vitesh. Sipas tyre, e moshuara çdo ditë sillte në banesë qese me mbeturina, ushqime dhe rroba të marra nga kazanët, ndërsa aroma e padurueshme ishte përhapur në të gjithë shkallën e pallatit.
“Është e pamundur të kalosh në shkallë. Sa herë hap derën, zbresim me hundë të mbyllur nga kati i katërt deri poshtë”, shprehet një banore.
Ndërsa një tjetër thotë se situata ishte bërë e papërballueshme: “Ajo fut çdo ditë 6-7 çanta me mbeturina brenda. Kemi frikë edhe për ndonjë epidemi.”
Gazetarët e emisionit Fiks Fare tentuan të komunikonin me të moshuarën, por ajo refuzoi të hapte derën dhe të lejonte xhirimet. Nga dera e apartamentit dukej një korridor i mbushur me rroba dhe sende të grumbulluara, ndërsa era e rëndë ndihej menjëherë në hyrje.

“Jam e sëmurë… këto i kam për t’i shitur. Ik largohu, nuk dua të më filmoni. Jam në shtëpinë time”, u shpreh shkurtimisht ajo.
Për rastin u vu në dijeni edhe shërbimi social i bashkisë. Punonjësit socialë deklaruan se problematika ishte e njohur prej qershorit të vitit 2025 dhe se më herët ishte ndërhyrë për pastrimin e banesës, por situata ishte rikthyer sërish.

Sipas tyre, për shkak se bëhej fjalë për një pronë private, nevojitej bashkëpunim me institucione të tjera, përfshirë policinë, për të mundësuar ndërhyrjen dhe pastrimin e ambienteve.

Pas interesimit të emisionit Fiks Fare, situata mori zgjidhje. Djali i zonjës ndërhyri dhe kreu pastrimin e plotë të banesës, ndërsa gjatë verifikimeve u konstatua se ambienti ishte rehabilituar.
“Ju kërkoj falje që ju bezdisëm, nuk do të ndodhë më”, tha e moshuara pas pastrimit.
Ndërkohë, Drejtoria e Shërbimeve Publike bëri me dije se në ditët në vijim do të kryhet dezinfektimi dhe lyerja e banesës, me qëllim eliminimin e çdo rreziku për shëndetin e banorëve të pallatit.

