SHTËPI BARI POSHTË KOTECIT TË PULAVE/ Zbulohet ambienti i nëndheshëm në Maliq, arrestohet një person dhe një në kërkim

Në fshatin Vreshtas, në Bashkinë Maliq, është zbuluar një ambient i fshehtë i përshtatur për kultivimin dhe përpunimin e lëndëve narkotike, i ndërtuar poshtë një koteci shpendësh.

Sipas Prokurorisë së Korçës, në bashkëpunim me policinë, gjatë hetimeve është arrestuar një person me iniciale K.L., i dyshuar për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike, ndërsa një tjetër person është shpallur në kërkim.

Ambientet e zbuluara ishin të ndërtuara në mënyrë të fshehtë dhe ndodheshin në një hapësirë nëntokësore, e aksesueshme përmes një hyrjeje të kamufluar. Brenda saj, hetuesit kanë gjetur pajisje të plota për kultivimin e kanabisit, përfshirë ndriçim special, sisteme ventilimi, ngrohjeje dhe kontrolli të lagështirës.

Gjithashtu, në ambient ishin të vendosura vazo me bimë dhe mbetje të bimëve narkotike, si dhe hapësira për tharjen dhe paketimin e tyre.

Janë sekuestruar rreth 5.4 kilogramë kanabis në proces tharjeje, një sasi e vogël kokainë, peshore elektronike dhe pajisje të ndryshme për përpunim.

Hetimet tregojnë se ambienti furnizohej me energji elektrike në mënyrë të paligjshme, përmes lidhjes direkte me rrjetin.

Policia dhe prokuroria po vijojnë punën për kapjen e personit të shpallur në kërkim dhe për zbardhjen e plotë të aktivitetit.