Hapet tenderi për zgjatjen e hekurudhës Tiranë-Durrës/ Stacioni i ri kthehet në bulevardin e kryeqytetit

Stacioni i trenit do të kthehet atje ku ka qenë.

Në faqen e prokurimeve publike është publikuar hapja e tenderit për zgjatjen e hekurudhës Tiranë-Durrës.

Sipas dokumentit, bëhet fjalë për një investim që do të nisë nga terminali i autobusëve dhe do të shtrihet deri në bulevardin e ri të kryeqytetit, pikërisht aty ku do të vendoset edhe stacioni kryesor.

Fondi maksimal i ofruar nga Hekurudha Shqiptare do të jetë 1 miliard e 500 milionë lekë të reja. Kompanitë që do të marrin pjesë në garë duhet të paraqesin oferta që përfshijnë jo vetëm shinat, por edhe veprat infrastrukturore si urat metalike dhe ato prej betoni, mbi kalimet dhe nënkalimet e ndryshme, për të mundësuar lëvizjen e lirë.

Paralelisht, puna po vijon edhe për linjën Rinas-Durrës, e cila do të shërbejë si për transportin e udhëtarëve, ashtu edhe për transportin e mallrave.

Në këtë mënyrë, Shqipëria ka nisur rikthimin dhe modernizimin e rrjetit hekurudhor, duke synuar një sistem më funksional dhe më të shpejtë se më parë.

Një tjetër sfidë mbetet shtrirja e rrjetit hekurudhor në thuajse të gjithë vendin, si edhe lidhja me linjat ndërkombëtare.