Dosja “Partizani”, ish-drejtorët e ish-klubit sportiv japin dëshmitë e tyre në gjyq
Në procesin e kësaj të hëne është paraqitur dëshmitari Afrim Tola.
Afrim Tola: "Në vitin 2006-08 kam qenë drejtor shumë-sportesh “Partizani”. S’ka pasur shumë staf, por të tjerët, pra sportistët kanë qenë të punësuar nga Ministria e Kulturës.
Dhe objekte ka pasur aty, po s’e mbaj mend. Në vitin 2006 klubi shumë-sportesh “Partizani” ka pasur futboll, volejboll, basketboll, mundje, etj.
Shumica e këtyre sportistëve gjenin sponsorë nga jashtë. Palestra e mundjes e ka rregulluar ish-presidenti i Mundjes.
Kemi pasur një fond shumë të vogël! Kam qenë në komision vetëm për vlerësimin e aseteve të ish-klubit “Partizani”.
Kur u bëra drejtor ambiemti ishte i amortizuar. Në këto ambiente ishin dhe disa familje informale. Nuk e di se sa është bërë vlera e rivlerësimit. Puna ime konsistonte me menaxhimin e ekipeve dhe jam emëruar nga Ministria e Kulturës.
Në 2006-2008 nuk më kujtohet të jem takuar me ndonjë pretendues të pronës".
Dëshmitari tjetër te procesi “Partizani” ishte Bujar Labinoti: “Në 1992 kam qene drejtor i klubit “Partizani”.
Paguhesha nga shteti. Gjatë kohës që kam punuar te klubi kanë qenë fushat e basketbollit dhe disa barake, ku ndërroheshin. Ishin mbrapa disa familje që ishin të persekutumit. Ishte hoteli dhe palestra.
Më erdhi në klub një Saliaga dhe tha jemi pronarë të klubit dhe i thashë shko në shtet se i ka shteti këtu.
Xhimi vinte paraqiteshe në klub. Deri me 2012-ën qëndrova se u operova nga zemra.
Mbaj mend që brenda klubit mund të kenë qenë 12 familje. Italianët kanë qenë nga viti ‘93 e deri në ‘99".
Dëshmitari Albert Xhani tregoi në gjykatë se në vitin 2000 ishte bërë shndërrimi i shoqatës “Partizani” në shoqëri aksionare, sipas ligjit të kohës. Ai tha se procesi ishte zhvilluar në dy asamble të përgjithshme dhe më pas ishte zgjedhur president i klubit.
Sipas Xhanit, nga viti 2000 deri në vitin 2013, Partizani ka funksionuar si shoqëri aksionare, ndërsa fillimisht ai kishte menduar se toka nuk kishte pronarë. Më pas, sipas tij, rezultoi se kishte rreth 200 deri në 300 pronarë, ndërsa 15 deri në 20 persona nuk ishin shpronësuar.
Ai tregoi se avokati i kishte shpjeguar se për sa kohë toka do të mbetej për qëllime sportive, mund të përfitonte nga një kontratë përdorimi.
“Tokat që janë për qëllime publike qëndrojnë të tilla dhe lind e drejta e parablerjes për ish-pronarët”, tha ai.
Në dëshminë e tij, Xhani foli edhe për humbjen e djalit, duke thënë se nuk kishte qenë mirë psikologjikisht në atë periudhë.
“Më vdiq djali, i ra statuja duke luajtur me fanellën e Partizanit”, u shpreh ai.
Sipas tij, në vitin 2003 kishte pasur kundërshti lidhur me planin për tokën sportive. Xhani tha se kishte dashur që ajo të mbetej vetëm për qëllime sportive dhe se ndryshimi i destinacionit do ta shkatërronte gjithë projektin.
“Kur më sollën letrën që ishte ndryshuar destinacioni, i rashë në telefon kryetarit të Bashkisë, por nuk ma ngriti. Që atë ditë marrëdhëniet tona mbetën vetëm përshëndetje nga larg”, tha Xhani.
Ai akuzoi drejtpërdrejt Edi Ramën, i cili në atë kohë ishte kryetar i Bashkisë së Tiranës, duke thënë se ai ishte shkaktari që Partizani mbeti pa terrene sportive.
Xhani tha gjithashtu se Ministria e Mbrojtjes kishte kërkuar të ruhej stema dhe emri i Partizanit, por sipas tij, ai nuk kishte marrë asnjë mbështetje financiare nga ministria.
Në vijim të dëshmisë, ai tha se në vitet 2004-2005 kishte mësuar se toka kishte pronarë dhe se fillimisht kishin menduar se nuk kishte asnjë pronar në atë zonë.
“Që aty menduam se nuk kishim çfarë bënim më tutje”, tha ai.
Sa i përket investimeve, Xhani tregoi se kishte bërë ndërhyrje në ambientet sportive dhe kishte rinovuar godinat ekzistuese.
Ai tha se investimet për fushat sportive mund të kenë shkuar në 200 deri në 300 mijë euro, por nuk i mbante mend saktësisht shifrat.
“Nuk kam marrë asnjë send me vete kur jam larguar”, përfundoi dëshminë e tij Albert Xhani.
Dëshmon Dhurata Çela: “Shtetasit e pandehur i njoh vetëm nga media, nuk kam pasur lidhje me ta.
Në Agjencinë e Kthimit të Pronave kam qenë gjatë vitit 2006 dhe jam larguar në fillim të vitit 2007. Kam mbajtur detyrën e drejtoreshës.
Kryesisht kërkesat paraqiteshin nga subjektet. Pasi plotësohej dokumentacioni, dosja kalonte në hapin tjetër të procedurës.
Në kohën time nuk e kujtoj saktësisht sa topografë dhe juristë ka pasur institucioni.
Gjithçka kalonte nëpërmjet protokollit.
Për familjet ish-pronare kam nxjerrë vendime. Për këto familje kam bërë edhe plotësim vendimi. Bëhej fjalë për kthim dhe kompensim prone, por ishte një çështje që mund të rihapej.
Në rastet kur institucionet janë shkrirë, janë ndryshuar edhe disa procedura.”
Në sallën e gjyqit u krijua debat për dëshmitarin Isa Tare. Raportohet se ai ka paraqitur një raport mjekësor, ku thuhet se ka probleme me zemrën dhe për këtë arsye nuk është paraqitur në seancë.
Prokuroria kërkoi që të lexohet dëshmia e dhënë prej tij në kohën kur është marrë në pyetje, duke qenë se dëshmitari mungoi në sallën e gjyqit.
Dëshmitarët e tjerë në seancën e sotme ishin:
Vjoleta Shehi
Ylli Pango
Tedi Lubonja
Altin Ceni
Paro Laçi





