Çështja për Irena Gjokën/ GJKKO rrëzon kërkesën e PD-së
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur të mos pranojë kërkesën e përfaqësuesve të Partisë Demokratike për kalimin e çështjes së gjyqtares Irena Gjoka në një gjykatë tjetër, si edhe kërkesën për përjashtimin e gjyqtares Marinela Osmani nga shqyrtimi i çështjes.
Kërkesa ishte paraqitur nga Adriana Kalaja dhe Jamarbër Malltezi, të cilët pretendonin se Gjoka nuk mund të gjykohet brenda së njëjtës gjykatë ku ajo ushtron funksionin e saj dhe se procesi duhej transferuar në një tjetër juridiksion.
Gjykata, përmes gjyqtares Rudina Palloj, vlerësoi se nuk ekzistojnë arsye ligjore për pranimin e kërkesës dhe vendosi rrëzimin e saj.
Seanca e radhës është caktuar më 19 maj, ndërsa SPAK-u ka kërkuar pushimin e procedimit penal në këtë çështje.
Çështja lidhet me një kallëzim të bërë nga Partia Demokratike, ku pretendohet se gjyqtarja Irena Gjoka nuk ka deklaruar një dënim të mëparshëm në Greqi. Sipas SPAK-ut, vendimi është dhënë në mungesë dhe nuk provohet që ajo të ketë qenë në dijeni, ndërsa ndjekja penale për këtë rast konsiderohet e parashkruar.
