Një plazh i ri publik hapet për pushuesit, Dervishi: Ja ku ndodhet 'thesari i fshehur' i kësaj vere
Një plazh i ri publik në zonën e Vilë-Bashtovës, në Rrogozhinë, është hapur për pushuesit, duke ofruar një alternativë falas për të gjithë qytetarët këtë sezon veror.
Kreu i Shoqatës së Bujtinave Shqiptare, Kujtim Dervishi, u shpreh në "Ora News" se zona, e cila më parë ka qenë një kënetë, është transformuar në një destinacion të ri turistik, i aksesueshëm pa asnjë pagesë.
Hapja e këtij plazhi vjen në kuadër të përgatitjeve intensive për sezonin turistik.
Pak ditë më parë, Prefekti i Qarkut të Tiranës organizoi një takim në Golem me të gjithë aktorët përgjegjës për mbarëvajtjen e sezonit, duke përfshirë Policinë e Shtetit, Policinë Bashkiake dhe institucione të tjera.
Qëllimi i takimit ishte koordinimi i masave për të garantuar sigurinë dhe një sezon të suksesshëm turistik. Plazhi i ri ndodhet në vijën bregdetare që ndan Kavajën me Rrogozhinën dhe tashmë është lehtësisht i arritshëm, pasi rruga e asfaltuar shkon deri në breg të detit. Një veçori tërheqëse e zonës është prania e një pylli natyral, që e bën atë edhe më interesant për vizitorët.
Duke qenë një plazh publik, qytetarët kanë lirinë të vendosin çadrat, shezlongët dhe të marrin ushqimet e tyre me vete. Edhe pse fokusi është te karakteri publik dhe falas i plazhit, në afërsi të tij operojnë edhe disa restorante, duke u ofruar pushuesve mundësinë për të konsumuar ushqim dhe pije nëse dëshirojnë.
Ky zhvillim shihet si një mundësi e re për turizmin në këtë zonë, duke ftuar pushuesit të zbulojnë këtë hapësirë të re bregdetare gjatë verës.
" Unë ju bëj me dije që para tre ditësh neve patëm një takim të organizuar nga prefekti i Qarkut të Tiranës, së bashku me të gjithë aktorët të cilët marrin pjesë për mbarëvajtjen e sistemit e sezonit turistik që neve po presim.
Domethënë ishte policia e shtetit, policia e Bashkisë Tiranës, ishin AKZM-ja, ishin të gjithë institucionet të cilët kontribuojnë për sigurinë e sezonit turistik.
Edhe ky organizim u bë në Golem, meqënëse qarku i Tiranës shtrihet dhe në Golem dhe në Rrogozhinë. Edhe para pak ditësh neve prapë së bashku me prefektin ishim në Vilë-Bashtovë, ku u hap një plazh i ri.
Edhe neve, edhe si shoqatë, kishim mbledhur disa anëtarë të shoqatës tonë të cilët operojnë në ato zona, për arsye se atje u hap një plazh i ri, i cili deri dje ka qenë, mund të themi, kënetë, tani u hap për pa pagesë. Jo plazh privat, po plazh publik pa pagesë do jetë ai plazh në Vilë-Bashtovë.
Në Vilë-Bashtovë i bie në Rrogozhinë, domethënë aty ku ndan Kavaja me Rrogozhinën. Aty, edhe është shumë interesante. Asfalti është deri në breg të detit aty. Aty ka një pyll natyral domethënë që është shumë interesant. Edhe unë ju bëj thirrje të gjithëve që ta vizitojnë atë plazh sivjet, do e kenë gratis", u shpreh Dervishi.
Ndiqni intervistën e plotë: