“Lumë” gjobash në Tiranë brenda një jave/ Mbi 14 mijë masa, arrestime për shoferë të dehur dhe dhjetëra makina të bllokuara

Policia Rrugore e Tiranës ka intensifikuar kontrollet gjatë javës 4-10 maj, duke vendosur mbi 14 mijë masa administrative për shkelje të ndryshme në qarkullim.

Sipas të dhënave zyrtare, pjesa më e madhe e gjobave lidhen me parkimet e gabuara, sigurinë rrugore dhe përdorimin e telefonit gjatë drejtimit të mjetit.

Gjatë kontrolleve janë ndëshkuar 45 drejtues mjetesh për përdorim alkooli. Nga këta, 11 persona janë arrestuar, një rast është proceduar në gjendje të lirë dhe 34 raste janë trajtuar administrativisht.

Policia ka vendosur gjithashtu 1251 masa për mosvendosje të kaskës mbrojtëse, 401 masa për mosvendosje të rripit të sigurimit dhe 319 masa për përdorim telefoni në timon.

Ndërkohë, 9189 masa janë vendosur për parkim të gabuar dhe ndalim qëndrimi në kundërshtim me rregullat.

Nga kontrollet janë bllokuar 65 mjete, mes tyre automjete të hequra me karrotrec për parkim të gabuar, mjete pa dokumentacion, makina me gjoba të papaguara dhe automjete të sekuestruara si prova materiale.

Sa i përket ngjarjeve penale, gjatë javës janë ndjekur 34 raste. Policia ka kryer arrestime për drejtim mjeti në gjendje të dehur, drejtim pa leje dhe aksidente me pasoja të rënda. Janë regjistruar edhe raste të largimit nga vendi i aksidentit dhe një procedim për korrupsion aktiv ndaj funksionarëve publikë.