Vr*sja e biznesmenit Ismaili në Sarandë/ Gjykata lë në burg Konstandin Voglin, 50-vjeçari i përfshirë përfundon në 'arrest shtëpie"
Në Sarandë janë zhvilluar seancat gjyqësore për caktimin e masave të sigurisë ndaj dy personave, 31-vjeçarit Kostandin Vogli dhe 50-vjeçarit Tori Ruci alias Viktor Ruci, të përfshirë në një konflikt pronësie për një beach-bar në zonën e Himarës.
Hetimet tregojnë se përplasja mes tyre për pronën ka degraduar në konflikt të dhunshëm me sende të forta dhe më pas në një ngjarje të rëndë që përfundoi me vrasjen e 66-vjeçarit Rexhep Ismaili në Gjashtë të Sarandës, më 7 maj.
Fillimisht para gjykatës është paraqitur 50-vjeçari Tori Ruci, i cili ndodhej në masën “arrest në shtëpi” për veprën penale “moskallëzim krimi”. Gjykata ka vendosur të lërë në fuqi këtë masë sigurie, duke e detyruar të mos largohet nga banesa në fshatin Gjashtë të Sarandës.
Ai rezulton gjithashtu i dënuar më parë për veprat penale të lidhura me narkotikët.
Më pas, gjyqtarja dhe prokurorja e çështjes janë zhvendosur në spitalin “Petro Nako” në Sarandë, ku ndodhet i shtruar dhe nën ruajtje 31-vjeçari Kostandin Vogli, i plagosur me armë zjarri në këmbë.
Për të janë ngritur disa akuza, përfshirë “moskallëzim krimi”, “shkatërrim prone” në bashkëpunim dhe “kanosje” në bashkëpunim. Gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg”.
Në vendimin e gjykatës është vlerësuar se, bazuar në materialet e paraqitura, ngjarja mund të kualifikohet edhe si “vrasje me dashje” në bashkëpunim e mbetur në tentativë, si edhe veprat e tjera penale të lidhura me rastin.
Hetimet për konfliktin dhe ngjarjen e rëndë në Sarandë po vijojnë.

