Pesë turistë të MV Hondius vendosen në izolim të rreptë në Francë, autoritetet franceze nisin masa emergjente

Autoritetet shëndetësore në Francë kanë vendosur masa të rrepta pas kthimit të pesë shtetasve francezë nga kroçera MV Hondius, ku dyshohet për raste me hantavirus.

Sipas njoftimeve, një prej pasagjerëve ka shfaqur simptoma gjatë fluturimit të riatdhesimit, duke bërë që autoritetet të reagojnë menjëherë.

Të pesë personat janë vendosur në izolim dhe po i nënshtrohen analizave mjekësore për të konfirmuar nëse janë të infektuar. Ata mbahen nën mbikëqyrje të vazhdueshme deri në daljen e rezultateve.

Qeveria franceze ka nisur masa parandaluese për të shmangur përhapjen e mundshme të virusit, përfshirë edhe vlerësimin e izolimit të kontakteve të afërta të pasagjerëve.

Ndërkohë, Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve ka dhënë udhëzime për menaxhimin e situatës dhe ka dërguar ekspertë në Spanjë për të ndihmuar autoritetet lokale.

Sipas udhëzimeve, pasagjerët me simptoma do të testohen menjëherë, ndërsa edhe ata pa shenja sëmundjeje konsiderohen me rrezik dhe do të monitorohen. Riatdhesimi i tyre do të bëhet me masa të posaçme sigurie dhe jo me fluturime të zakonshme.