Armëpushimi SHBA-Iran në rrezik, Kuvajti raporton sulme me dronë

Ushtria e Kuvajtit ka njoftuar se ka reaguar ndaj një sulmi me dronë, në një moment kur armëpushimi i brishtë në luftën me Iranin po vihet sërish në provë, raportoi AP.

Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes së Kuvajtit, gjeneral Saud Abdulaziz Al Otaibi, deklaroi se dronë armiqësorë kanë hyrë në hapësirën ajrore të vendit sot në mëngjes dhe se forcat ushtarake kanë reaguar në përputhje me procedurat e përcaktuara.

Nuk janë raportuar viktima menjëherë pas incidentit.

Një anije mallrash është përfshirë sot nga zjarri, pasi u godit nga një predhë e panjohur pranë brigjeve të Katarit, sipas ushtrisë britanike, në një tjetër sulm ndaj anijeve në Gjirin Persik që nga armëpushimi i brishtë mes SHBA-së dhe Iranit.

Administrata Trump deklaroi se armëpushimi njëmujor mbetet në fuqi, por ai është vënë vazhdimisht në provë, ndërsa Irani ka kufizuar lëvizjen e anijeve në Ngushticën e Hormuzit — një rrugë strategjike për transportin global të naftës — dhe SHBA-ja ka vendosur një bllokadë ndaj porteve iraniane.

Uashingtoni po pret përgjigjen e Iranit për një propozim të ri marrëveshjeje që synon përfundimin e luftës, rihapjen e ngushticës për transportin detar dhe kufizimin e programit bërthamor iranian.

Një nga çështjet kryesore të negociatave mbetet fati i rezervave të uraniumit të pasuruar të Iranit.

Agjencia e OKB-së për energjinë bërthamore deklaroi se Irani ka mbi 440 kilogramë uranium të pasuruar deri në 60%, një nivel teknikisht shumë pranë atij të nevojshëm për armë bërthamore.