Kuba refuzon 100 mln dollarë ndihmë nga SHBA/ Përplasje e re mes Uashingtonit dhe Havanës për krizën humanitare

Qeveria e Kubës ka refuzuar një ofertë ndihme humanitare prej 100 milionë dollarësh nga Shtetet e Bashkuara, në një kohë kur vendi po përballet me pasoja të rënda nga uraganet, mungesë të karburantit dhe krizë ekonomike të zgjatur.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka thënë se ndihma ishte menduar për popullin kuban, por sipas tij autoritetet në Havana nuk kanë pranuar që ajo të shpërndahet.

Ai ka shtuar se më herët SHBA ka dhënë rreth 6 milionë dollarë ndihmë përmes organizatës Caritas dhe Kishës Katolike.

Nga ana tjetër, Ministria e Jashtme e Kubës e ka mohuar se një ofertë e tillë ka ekzistuar dhe ka akuzuar Shtetet e Bashkuara se po përhapin informacion të pavërtetë dhe po përdorin situatën humanitare për qëllime politike.

Sipas autoriteteve kubane, vështirësitë në vend lidhen edhe me sanksionet amerikane, të cilat kanë ndikuar në përkeqësimin e ekonomisë dhe furnizimit me energji.