Irani sulmon kreun e IAEA-së/ Teherani: Agjencia po humbet besueshmërinë duke hyrë në lojëra politike
Iran ka reaguar ndaj komenteve të fundit të kreut të Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike, Rafael Grossi, lidhur me Ngushticën e Hormuzit dhe programin raketor iranian.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baghaei, ka kritikuar deklaratat e Grossit, duke thënë se roli i Agjencisë është verifikimi i aktiviteteve bërthamore dhe jo përfshirja në debate politike apo ushtarake.
Në reagimin e tij në rrjetin social X, Baghaei është shprehur se komentet mbi raketat iraniane apo çështjet që lidhen me Ngushticën e Hormuzit dalin jashtë përgjegjësive të institucionit ndërkombëtar.
Ai ka paralajmëruar gjithashtu se përzierja e politikës me punën teknike të organizatave ndërkombëtare mund të dëmtojë besueshmërinë dhe rolin e tyre në arenën globale.
