Kanadaja në kthesë historike/ Rekrutimi ushtarak në nivelin më të lartë në 30 vjet

Kanadaja po shënon rritjen më të madhe të rekrutimeve ushtarake në rreth 30 vitet e fundit, duke u përpjekur të forcojë ushtrinë pas një periudhe të gjatë mungese personeli dhe investimesh të ulëta në mbrojtje.

Sipas të dhënave të fundit, numri i të rinjve që i bashkohen forcave të armatosura është rritur ndjeshëm gjatë dy viteve të fundit. Kjo vjen në një kohë kur situata globale është më e tensionuar për shkak të konflikteve të ndryshme dhe pasigurisë ndërkombëtare.

Qeveria kanadeze ka rritur ndjeshëm shpenzimet për mbrojtjen, duke arritur për herë të parë prej dekadash objektivin e NATO-s për 2% të PBB-së. Këto fonde po përdoren për rritjen e pagave të ushtarakëve, blerje pajisjesh të reja dhe modernizimin e bazave ushtarake.

Kryeministri Mark Carney ka vendosur ushtrinë në qendër të politikave të qeverisë, me një plan për zgjerimin dhe modernizimin e forcave të armatosura në vitet e ardhshme.

Megjithatë, ekspertët thonë se pavarësisht rritjes së rekrutimeve dhe investimeve, ushtria kanadeze mbetet ende më e vogël dhe më pak e pajisur krahasuar me disa aleatë të NATO-s. Sipas tyre, përmirësimet reale do të kërkojnë kohë dhe nuk pritet të shihen menjëherë.