Protesta po tkurret, Sidi Hasanaj: Berisha po i garanton pushtetin e përjetshëm Ramës

Protesta e opozitës po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një ritual pa ndikim real, duke humbur funksionin e saj si mjet presioni ndaj mazhorancës.

Sipas një analize të fundit nga Sidi Hasanaj në përfundim të proytestës së sotme në studion e lajmeve në “Ora News”, u shpreh se ky aksion politik jo vetëm që po tkurret në pjesëmarrje, por po kthehet në një instrument personal në shërbim të agjendës së Sali Berishës, duke i garantuar në mënyrë indirekte pushtetin afatgjatë mazhorancës socialiste të Edi Ramës.

Ndryshe nga protestat në demokracitë perëndimore, të cilat shërbejnë për të kundërshtuar ligje specifike apo për të krijuar epërsi morale në prag të zgjedhjeve, Hasanaj u shpreh se protesta aktuale në Shqipëri nuk përmbush asnjë nga këto qëllime. Ajo është shndërruar në një ritual me një objektiv të vetëm: afirmimin e lidershipit të Berishës.

Kjo për Hasanajn, nuk shihet më si një protestë e Partisë Demokratike në tërësi, por si një lëvizje e partisë së Berishës, e mbështetur nga militantët e tij personalë për një agjendë personale.

Një tregues i qartë i këtij fenomeni është tkurrja e vazhdueshme e numrit të protestuesve nga një tubim në tjetrin. Justifikimet, si ai i motit me shi i artikuluar nga vetë Berisha, konsiderohen nga Hasanaj jo serioze, duke pasur parasysh se edhe 5-6 vite më parë, kur PD ishte në kulmin e saj, protesta masive e të jashtëzakonshme mbaheshin pavarësisht kushteve të motit.

Problemi kryesor që theksohet është reduktimi i një force politike në një strukturë personale të një individi të vetëm. Kjo qasje, tha ai, në vend që të sfidojë pushtetin, i garanton atij një qëndrueshmëri afatgjatë. Kur opozita nuk arrin të jetë një rrezik real dhe një alternativë bindëse, ajo praktikisht i siguron mazhorancës një mandat të përhershëm.

Aktiviteti protestues shihet më shumë si një formë "menaxhimi" apo "administrimi" i militantëve politikë nga ana e Berishës. Qëllimi duket se është mbajtja e tyre të karikuar dhe të grumbulluar rreth figurës së tij, si dhe imponimi i tij si aktori kryesor dhe antagonisti i vetëm i mazhorancës. Megjithatë, kjo strategji është shumë larg asaj që do të përbënte një forcë politike me rrezikshmëri dhe dinamikë reale për të sfiduar qeverinë aktuale.