Mos u merrni me Robert Ndrenikën, por me Zdromsin
Një shfaqje e shëmtuar u shënua sot në Gjykatën Administrative, ku disa aktorë, mes tyre figura e njohur e artit Robert Ndrenika, u panë duke përqafuar dhe puthur kryebashkiakun e arrestuar të Tiranës, Erion Veliajn.
Aktorët shkuan në seancë dhe u sollën sikur Erion Veliaj të ishte drejtori i estradës.
Nga të tërë, Roberti, i shkretë u tregua dhe i sinqertë, dhe i tha “ç’të ka ngelur nga burgu”, pra që Erioni do bëjë burg dhe do dënohet me gjithë këto që ka bërë.
Por, në rrjetet sociale dhe në media, gjithmonë fokusi i jepet Robert Ndrenikës. Kjo për një arsye të caktuar, që të tërhiqet vëmendja nga thelbi i çështjes.
Robert Ndrenika është një aktor, një artist, një personalitet shumë i nderuar që për shumë arsye mund të ketë marrëdhënie personale me Erion Veliajn, siç shkoi dhe bashkëshortja e të ndjerit Ismail Kadare, Elena Kadare kur u arrestua Erion Veliaj, se këto janë nga qokat dhe nderet e pushtetit që bëhen.
Por vëmendja duhet të qëndrojë tek Erion Veliaj. Sot ishte një gjyq administrativ që ai kërkon të heqë nga detyra prokurorin për interesat e tij personale, që të rrëzojë aktet dhe procedurën e bërë nga prokurori që të shpëtojë nga 13 akuza të rënda penale.
Dhe këtë e tha Robert Ndrenika në fakt, që “ç’të ka ngelur nga burgu”, pra që do dënohet. E rëndësishme është thelbi. Erion Veliaj, këta aktorë, këta humoristë, edhe ata të vizave të bardha të autostradave të rrugëve, mundet edhe t’i keqpërdorë për shkak të marrëdhënieve që kanë, ndereve dhe qokave.
Por, thelbi është tek Erion Veliaj, te 13 akuzat e tij për 5 vepra të rënda penale, te gjyqi në GJKKO që Erion Veliaj nuk shkon. Erion Veliaj duhet të shkojë të përballet me drejtësinë në GJKKO me akuza të rënda penale.
Nuk mund ta kthejë Robert Ndrenikën në show për të justifikuar firmat e hedhura për qindra mijëra euro që ka përfituar bashkëshortja e tij, të afërmit e tij, dhe shkeljet e rënda penale që ka bërë.
Historia e aktorëve shqiptarë nuk mund të kthehet në çështje brekësh dhe justifikimin e tyre. Gjithkush mund të pranojë që të vendosë një palë brekë në kokë. Thelbi është tek hetimi penal, është fajtor ose jo.
Kurse, gjithçka që ndodh në Gjykatën Administrative është një gjyq që kërkohet të kthehet në show për interesa të caktuara, si presion i hapur ndaj gjyqtarëve, ndaj prokurorëve në GJKKO, atje ku është vepra penale, atje ku është krimi, jo këtu ku kërkon të bëhet “Portokalli” me viza të bardha duke keqpërdorur dhe të mirin Robert Ndrenika. /CNA

