Berisha shpërthen ndaj policisë: Do t’ju tregojmë fytyrën e vërtetë, s’keni vend në këtë tokë

Tensionet janë përshkallëzuar në protestën e opozitës në Tiranë, pasi forcat e policisë bllokuan marshimin e protestuesve të udhëhequr nga kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha. Përballë kordonit policor, Berisha lëshoi akuza të rënda ndaj qeverisë, duke e cilësuar veprimin si një shkelje flagrante të të drejtave themelore.

"U shkelmua kushtetuta, u shkelmua çdo gjë, u bllokua rruga," deklaroi Berisha para mbështetësve. Sipas tij, bllokimi i bulevardit përbën një "krim të shëmtuar", pasi opozita po zhvillonte një marshim paqësor. Ai paralajmëroi se përgjegjësit "do të marrin përgjigjen e merituar".

Në fjalën e tij, ish-kryeministri drejtoi akuza direkte ndaj kryeministrit Edi Rama dhe figurave të tjera të qeverisë, duke i quajtur "kriminelë". "Mbrojnë dy kriminelë si Edi Rama dhe Lubi Balluku. Mbrojnë hajdutë të shpërfytyruar të këtij kombi," u shpreh ai, duke shtuar se ata "nuk kanë vend në këtë tokë pa shkuar para ligjit".

Pavarësisht bllokadës, Berisha theksoi se opozita do të përgatitet për të gjitha format e rezistencës dhe garantoi se kauza e tyre është e humbur për qeverinë. Situata mbetet e tensionuar, ndërsa protestuesit ishin nisur drejt godinës së Parlamentit, duke kaluar më herët pranë selisë së Partisë Demokratike.

DEKLARATA E BERISHES

Do të marrin përgjigjen e merituar. Ju e patë, ishim në një marshim paqësor. Dhe marshimi ynë paqësor, u shkelmua Kushtetuta, u shkelmua çdo gjë, u bllokua rruga. Dhe këta në mënyrë absolute do marrin përgjigjen e merituar.

Këta kanë kryer një krim të shëmtuar sot sepse ne po bënim marshimin tonë, marshim paqësor në kuptimin e vërtetë të fjalës. Por Edi Balluku dhe Lubi Rama vend në këtë tokë nuk kanë pa shkuar para ligjit.

Pyetje: Pse nuk u lejuat para ministrisë së Brendshme?

Sali Berisha: Ne po marshonim, ata bllokuan bulevardin, po ne do përgatitemi për të gjitha format, dhe i garantoj se e kanë të humbur 100 përqind.

Turpe. Mbrojnë dy kriminelë si Edi Rama dhe Belinda Balluku. Mbrojnë Linda Ramën dhe Mirlindën e AKSHI-t. Mbrojnë hajdutë të shpërfytyruar të këtij kombi. Dhe këtë e bën një mercenar, se do u tregojmë se cili është Skënder Balluku.