Debate në studio, Maho: A është media e orientuar? Pse nuk flet për raportin që “nxin” Shqipërinë?

Një debat i ashpër mbi rolin e medias dhe raportimin e saj ndaj çështjeve politike në studion e lajmeve në “Ora Neës”, ku po mbahet transmetimi maratonë në kuadër të protestës së radhës të opozitës, ka vënë në pah dy këndvështrime diametralisht të kundërta mbi lirinë dhe objektivitetin e shtypit në vend.

Gazetari Armand Mahoi u ndal tek raporti i fundit i Komisionit Evropian, i cili, sipas tij, “nxinte Shqipërinë”, por që nga mediat u trajtua si një lajm rutinë pa rëndësinë e duhur.

Sipas Mahos, opozita ka bërë përpjekjet e saj për ta sjellë në vëmendje këtë çështje, por është përballur me një mur mediatik, ku thuajse asnjë emision televiziv nuk i ka dhënë hapësirën e nevojshme.

Ai hodhi akuza se ekziston një “orientim” i caktuar nëpër studio televizive për të shmangur diskutimin e temave të tilla delikate. Edhe kur përfaqësues të opozitës janë të ftuar, argumenton ai, agjenda kontrollohet nga moderatori, duke e bërë të pamundur që politikani të devijojë nga tema e paracaktuar dhe të flasë për çështje si raporti i BE-së apo denoncime të tjera.

Si shembull, u përmendën denoncime të bëra më herët për çështjen e Vunoit dhe fushat me drogë, të cilat, ndonëse u transmetuan drejtpërdrejt, nuk patën një ndjekje dhe analizë të mëtejshme mediatike, ndryshe nga çfarë ndodh, sipas tij, me “tymnajat” që lidhen me opozitën, të cilat ndezin menjëherë debatin publik.

Nga ana tjetër, gazetari Arbër Hitaj argumentoi se përgjegjësia nuk i takon medias, por vetë Partisë Demokratike, e cila duhet të gjejë format e duhura të komunikimit për të përcjellë mesazhet e saj. Sipas këtij këndvështrimi, një politikan i zoti duhet të jetë në gjendje të ndryshojë rrjedhën e një debati dhe ta kthejë atë në favor të tij, pavarësisht temës fillestare.

Ky qëndrim sugjeron se media shkon aty ku është interesi më i lartë i publikut, dhe nëse denoncimet e opozitës nuk marrin vëmendjen e duhur, kjo mund të jetë pasojë e një strategjie të dobët komunikimi.

“Mund ta kishit shitur në qoftë se do ta kishit transmetuar dot në formën që duhet”, ishte kundërpërgjigja ndaj akuzave për njëanshmëri.

NDIQNI DEBATIN E PLOTË NË STUDIO