Protesta e opozitës/ Mbahet një minutë heshtje për dy të miturit që humbën jetën në Durrës

Në protestën e sotme të opozitës para Kryeministrisë është mbajtur një minutë heshtje për dy të miturit që humbën jetën në aksidentin tragjik në Durrës.

Përgjegjës për aksidentin tragjik, opozita bën edhe qeverinë dhe Policinë e shtetit. 

Protesta e sotme zhvillohet pa fjalime, ndërsa protestuesit bëjnë thirrje për largimin e kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë. 

ORGANIZIMI I PROTESTËS

Pak para orës 19:00, kreu i PD-së, Sali Berisha, mbërriti në selinë blu, ku u prit nga mbështetësit demokratë.

Ndryshe nga protestat e mëparshme, këtë herë organizatorët kanë vendosur që të mos ketë podium apo fjalime politike, por vetëm marshim të protestuesve në rrugët e kryeqytetit.

Ndërkohë, Policia e Tiranës ka marrë masa të shtuara sigurie për garantimin e rendit dhe mbarëvajtjen e tubimit, duke bllokuar disa akse kryesore pranë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.

Më herët gjatë ditës, Berisha deklaroi se protestat janë “zëri më i fuqishëm i shqiptarëve dinjitozë”, ndërsa paralajmëroi se “vala e opozitës nuk do të ndalet”.

Po ashtu, Ambasada e Shteteve të Bashkuara u bëri thirrje qytetarëve amerikanë të tregojnë kujdes gjatë zhvillimit të protestës, duke paralajmëruar se situata mund të ndryshojë me shpejtësi.

VIDEO–LIVE/ OPOZITA RIKTHEHET NË SHESH! Pa foltore në rrugët e Tiranës, policia në ndjekje të demokratëve