Mbyllet protesta, shoqërohen në polici 3 persona, 3 efektivë thuhet se u lënduan! Berisha: S'ka polici që ndalon kryengritësit
Policia ka shoqëruar 3 protestues pas incidenteve në Bulevard, ku kordoni i policisë bllokoi lëvizjen e tyre drejt Ministrisë së Brendshme.
Gjatë protestës së sotme të PD-së, u shënuan disa akte dhune, që nga sulmet me gurë drejt efektivëve, e deri te hedhja e molotovëve dhe fishekzjarrëve në drejtim të Policisë.
Kjo ishte protesta e 8 kombëtare e PD-së, ndërsa policia thekson se janë lënduar 3 efektivë.

"Si pasojë e hedhjes në drejtim të punonjësve të Policisë të bombave molotov, lëndëve piroteknike dhe sendeve të forta nga disa protestues, u lënduan tre punonjës policie të Forcës Kombëtare të Sigurisë, të cilët u dërguan për mjekim në Spitalin Ushtarak, jashtë rrezikut për jetën", thekson policia.
Nga shkallët e selisë blu, teksa shpalli mbylljen e protestës, kryedemokrati Sali Berisha deklaroi se policia do të mbajë përgjegjësinë për sulmin ndaj protestuesve.
"S'ka polici që ndalon kryengritësit" - deklaroi Berisha.
FJALA E BERISHËS
Së pari, një mirënjohje të pakufishme për të gjithë ju që sot, këtë ditë shiu, këtë ditë jo të lehtë, latë çdo gjë dhe si elitë e vërtetë e guximit të kombit dolët në shesh për t’u përballur me të keqen më të madhe të shqiptarëve.
Për t’u përballur me narkoregjimin e Edi Ramës, Lubi Ballukut dhe Lindave të tij. Sot, regjimi dëshmoi përsëri fytyrën e tij të vërtetë, bllokoi marshimin paqësor tonë. Bllokoi marshimin tonë paqësor.
E garantoj se do të ketë të gjithë përgjegjësitë që meriton. Miq, nuk ka polici në botë që mund një popull kryengritës. Ta harrojnë, kurrë! Dhe ne jemi në këtë betejë me moton e hershme të shqiptarëve, ja të vdesim, ja të rrojmë për liri!
Asgjë në botë nuk mund të na imponojë ne të pranojmë pushtetin e hajdutëve dhe kriminelëve si Edi Rama. Të pranojmë pushtetin e një lubie të vërtetë të shqiptarëve.
Hajdut që me vjedhjen e pasurive, vjedhjen e fondeve, mjerojnë qindra e mijëra shqiptarë. Largojnë nga vendi qindra mijëra të tjerë. Ndaj dhe beteja jonë është betejë për çdo qytetar shqiptar. Beteja jonë është betejë për dinjitetin e çdo shqiptari.
Beteja jonë është betejë për të ardhmen e Shqipërisë. Beteja jonë është betejë, është kryengritje kundër regjimit më të keq, kundër mafies më të rrezikshme që Shqipëria ka njohur në tërë historinë e saj.
Asgjë nuk do mund të na mposhtë ne pa nisur në burg Lubi Ballukun, atje ku e ka vendin kjo hajdute e pafytyrë, që për fytyrë ka vjedhjen dhe cinizmin. Pa larguar nga pushteti dhe dërguar para ligjit kriminelin Edi Rama që i ka dhënë pushtetit të sotëm moralin e etereve të tij xhelatë. Por ne jemi në këmbë.
Edhe njëherë, kam një mirënjohje të pakufishme. Asgjë nuk u dekurajoi ju sot. As terrori i policisë së radhës së kaluar, as moti,as propaganda e turpshme e mafies mediatike që këndon, që mban në 24 orë ison e propagandës së Edi Ramës, vetëm e vetëm se si mamuthë, si shushunja pinë gjakun, paguhen me paratë tuaja për t’u mashtruar ju.
Jo, jo, kjo kohë do marrë fund. Ja pse jemi ne në këmbë. Dhe në mënyrë absolute asgjë nuk na mposht. Edi Rama, dije mirë se të ardhme nuk ke. Fundi yt është i pashmangshëm. Lubi Balluku, Lindat e shpifura të AKSHI-t dhe Surrelit, në burg tek Lubia do shkoni për vjedhjet që keni bërë.
Do të marrin përgjigjen e merituar. Ju e patë, ishim në një marshim paqësor. Dhe marshimi ynë paqësor, u shkelmua Kushtetuta, u shkelmua çdo gjë, u bllokua rruga. Dhe këta në mënyrë absolute do marrin përgjigjen e merituar.
Këta kanë kryer një krim të shëmtuar sot sepse ne po bënim marshimin tonë, marshim paqësor në kuptimin e vërtetë të fjalës. Por Edi Balluku dhe Lubi Rama vend në këtë tokë nuk kanë pa shkuar para ligjit.
Pyetje: Pse nuk u lejuat para ministrisë së Brendshme?
Sali Berisha: Ne po marshonim, ata bllokuan bulevardin, po ne do përgatitemi për të gjitha format, dhe i garantoj se e kanë të humbur 100 përqind. Turpe.
Mbrojnë dy kriminelë si Edi Rama dhe Belinda Balluku. Mbrojnë Linda Ramën dhe Mirlindën e AKSHI-t. Mbrojnë hajdutë të shpërfytyruar të këtij kombi. Dhe këtë e bën një mercenar, se do u tregojmë se cili është Skënder Balluku.


