"Arresti me burg lidhet me perceptimin shoqëror"/ Ndrejaj: Ka raste që gjykatat ndikohen nga opinioni publik
Në emisionin “Drejt” në Ora News, i ftuar ishte avokati Flavjan Ndrejaj, i cili foli për mënyrën se si përdoret masa e sigurisë “arrest me burg” në praktikën gjyqësore në Shqipëri dhe faktorët që ndikojnë në vendimmarrje.
Ai ngriti shqetësimin se kjo masë, në disa raste, nuk lidhet vetëm me nevojat e hetimit, por ndikohet edhe nga perceptimi i publikut dhe klima sociale që krijohet pas ngjarjeve të rënda.
“Masa e sigurimit arrest në burg shpesh lidhet më shumë me perceptimin shoqëror sesa me nevojën reale të hetimit. Kjo ndikon si te prokuroria, ashtu edhe te gjykata.”-tha avokati.
Ndrejaj shtoi se në disa raste, gjykatat dhe prokuroria ndihen nën presion nga opinioni publik dhe reagimi i fortë i shoqërisë, duke ndikuar në vendimet për masat e sigurisë.
“Ka raste kur edhe gjykata edhe prokuroria kanë një lloj ndikimi nga opinioni publik. Ngjarjet e rënda krijojnë reagim shoqëror që kërkon ndëshkim të menjëhershëm.”-shtoi Ndrejaj.
Sipas tij, ky presion bëhet edhe më i dukshëm pas ngjarjeve me impakt të lartë, ku shoqëria kërkon masa të ashpra dhe reagim të menjëhershëm nga institucionet.
Ai theksoi se shpesh krijohet një qasje ku çdo i dyshuar trajtohet si fajtor paraprakisht, ndërsa kërkesa për ndëshkim vjen përpara përfundimit të procesit gjyqësor.
Avokati u shpreh se drejtësia duhet të ruajë balancën mes reagimit ndaj rasteve të rënda dhe respektimit të parimit të prezumimit të pafajësisë, pavarësisht presionit publik apo politik.
NDIQNI EMISIONIN E PLOTË "DREJT" NË ORA NEWS:

