Skandali i helmimit të studentëve të Policisë/ Vuksani: Rreziku mund të vijë nga i gjithë zinxhiri ushqimor
Në studion e “Ora News” në një lidhje direkte ishte e ftuar Ana Vuksani, eksperte ushqimore, për të folur mbi rastin e dyshuar të helmimit të një grupi studentësh të Policisë, ku u arrestua kuzhinieri i subjektit të kateringut.
Çështja ka hapur debat mbi sigurinë ushqimore dhe mënyrën si zhvillohen hetimet në raste të tilla, ku dyshohet se problemi nuk kufizohet vetëm te një individ, por mund të lidhet me gjithë zinxhirin e furnizimit.
Ekspertja ngre si problem mungesën e gjurmueshmërisë së produkteve ushqimore.
Sipas saj, faturat nuk mjaftojnë për të garantuar siguri, pasi nuk tregojnë lotin e produktit dhe nuk lejojnë ndjekjen e tij në rast kontaminimi. Kjo e bën të vështirë identifikimin e burimit të problemit dhe marrjen e masave parandaluese.
Ajo shton se pa këtë informacion, sistemi nuk arrin të njoftojë as konsumatorët për produkte potencialisht të rrezikshme dhe as të tërheqë në kohë mallrat nga tregu.
Në fokus është edhe mënyra si është zhvilluar hetimi. Mbetet e paqartë nëse subjekti i kateringut furnizon vetëm studentët apo edhe institucione të tjera, si spitale apo struktura shtetërore.
Vuksani kërkon që hetimi të shtrihet në të gjitha pikat e furnizimit dhe jo të kufizohet vetëm te një rast i vetëm.
Sipas saj, nëse nuk kontrollohet i gjithë zinxhiri, rreziku për incidente të tjera mbetet i hapur dhe situata nuk mund të konsiderohet e mbyllur.
Në lidhje me arrestimin e kuzhinierit, ajo shprehet se përgjegjësia duhet përcaktuar mbi bazën e provave konkrete.
Një kuzhinier, sipas saj, punon me produktet që i vijnë nga furnitorët dhe nuk mban përgjegjësi për cilësinë e tyre, përveç rasteve kur provohet veprim i qëllimshëm ose neglizhencë e rëndë.
NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË NË ORA NEWS:

