"TOYOTA YARIS"/ Ofroi ryshfet te gjyqtari i Tiranës, GJKKO jep vendimin për Erida Lazimin. Avokatja 'shpëton' nga burgu
Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka dhënë vendimin ndaj Erida Lazimit, e akuzuar për “ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
Sipas vendimit, Lazimi është shpallur fajtore dhe është dënuar fillimisht me 1 vit burg. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi i është ulur në 8 muaj burg.
Gjykata vendosi që dënimi të mos ekzekutohet me burgim, por të pezullohet, duke e vënë të pandehurën në provë për një periudhë 16-mujore.
Gjatë kësaj kohe, ajo duhet të mbajë kontakte me shërbimin e provës dhe të mos kryejë vepër tjetër penale.
Vendimi parashikon gjithashtu që shpenzimet e procesit, përfshirë ato të hetimit dhe gjykimit, të paguhen nga e pandehura.
Çështja lidhet me procedimin e vitit 2024 të Prokurorisë së Posaçme. Erida Lazimi ka të drejtë ta ankimojë vendimin brenda 15 ditëve në Gjykatën e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

