Atentati ndaj çiftit Mujeci në Lezhë, RENEA zbarkon në Lezhë, autorët ende të lirë
Policia është rikthyer sot në Lezhë për të kryer kontrolle në lidhje me atentatin ndaj çiftit Mujeci.
Lajmi u bë i ditur nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit sot në një dalje publike.
“Policia që në momentet e para ka bërë një komunikim të drejtpërdrejtë. Hetimet kanë vijuar edhe sot në mëngjes kemi kryer disa kontrolle me forcat speciale RENEA, por ende nuk është bërë e mundur kapja e autorëve”, tha Skënder Hitaj.
Atentati ndodhi më 26 prill 2026 në fshatin Balldren, në rrugën Balldren-Torrovicë. Drejt makinës me të cilën lëvizte çifti i bashkëshortëve Gentjana Mujeci 32 vjeç dhe Kreshnik Mujeci 39 vjeç u qëllua me breshëri plumbash.
Si pasojë të dy humbën jetën në vendin e ngjarjes. Policia ka shpallur në kerkim Renato Mhillaj, 23 vjeç, Adriano Mhillaj, 22 vjeç dhe Florin Mhillaj, 36 vjeç, djali, nipi dhe një i afërm i viktimës Genc Mhillaj nga Torovica, i vrarë në vitin 2016.
