(EMRI+FOTO) I zhdukur prej disa ditësh/ 30-vjeçari gjendet i pajetë në lumin Osum në Berat

Në Berat është gjetur i pajetë në lumin Osum një 30-vjeçar që ishte raportuar i zhdukur prej disa ditësh.
Viktima është identifikuar si David Shehaj, banues në lagjen “Çlirimi”.
Ai ishte larguar nga banesa më 30 prill dhe familjarët kishin denoncuar zhdukjen e tij në polici.
Sipas informacioneve të para nga banorë të zonës, ai është parë duke u hedhur në lumë, çka ka çuar në nisjen e kërkimeve nga autoritetet përgjatë shtratit të Osumit.

Në operacion janë përfshirë policia e Beratit dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të repartit në Poshnje.
Pas disa orësh kërkimesh, trupi i pajetë u gjet në zonën e fshatit Remanicë dhe u transportua në morgun e Spitalit Rajonal të Beratit për ekspertizë mjeko-ligjore, që do të përcaktojë shkakun e vdekjes.
Sipas burimeve, 30-vjeçari kishte qenë përdorues i lëndëve narkotike dhe rezultonte me precedentë penalë për vjedhje.

