KLGJ duhet të reagojë/ Ndreca dhe Veliaj, në sulm të paprecedentë ndaj drejtësisë
Një akt i paprecedentë shantazhi ndaj sistemit të drejtësisë është shënuar këtë të enjte, vetëm 24 orë përpara seancës në Gjykatën Administrative për çështjen e prokurorit Ols Dado. Plarent Ndreca, i cili është vetë i pandehur, në rolin e avokatit të Erion Veliajt, ka dalë hapur duke ushtruar presion mbi Gjykatën Administrative dhe drejtësinë përmes një konference për mediat.
Kjo dalje publike, e programuar në prag të seancës, u shfrytëzua për të kërcënuar trupën gjykuese me aktivizimin e mekanizmave institucionalë të kontrollit, një veprim që cilësohet si përdorim i institucioneve si shkop gome mbi kokën e gjyqtarëve. Në këto kushte, kur gjykatësi i seancës, Hazbi Balliu, ndodhet në një presion të plotë përballë dyshes Ndreca-Veliaj, CNA i bën thirrje Këshillit të Lartë Gjyqësor që të reagojë dhe të mbajë një qëndrim të prerë për të mbrojtur pavarësinë e Gjyqësorit.
Situata rëndohet më tej pasi mbrojtja i ka kërkuar stafit të bashkisë të marrë pjesë në gjyqin e së premtes, duke tentuar të krijojë një trysni artificiale në sallë, ngjashëm me rrethimin e GJKKO-së në kohën e arrestimit të Erion Veliajt. Ky presion i dyshes Veliaj-Ndreca synon largimin e prokurorit Ols Dado me qëllim që aktet e realizuara për 13 akuza të rënda penale të shpallen të pavlefshme.
Ndërsa ky shantazh i hapur publik konsiderohet i paprecedentë, vërehet një heshtje nga KLGJ, duke lejuar që një çështje penale me peshë të kthehet në një "show" mediatik dhe politik. KLGJ duhet ta thyejë këtë heshtje dhe të reagojë ndaj një të pandehuri që guxon t'i tregojë gjykatës mekanizmat e kontrollit vetëm 24 orë para mbajtjes së seancës në Gjykatën Administrative./CNA
